Drejtoria e Doganave ka publikuar pamje nga momenti kur një qen i specializuar ka zbuluar 2 kilogramë drogë të tipit kokainë në Aeroportin e Shkupit, përcjell TV21. Për rastin dje njoftoi edhe Policia e Maqedonisë së Veriut, ku u bë e ditur se droga ishte gjetur në valixhen e një shtetasi të Brazilit, ndërkaq ai në bisedë informative kishte deklaruar se është paguar 5000 euro nga shtetas të Maqedonisë së Veriut, për të kryer transportin e substancës narkotike.
“Në njërën nga dy valixhet e D.S.A.D. u gjetën dy kilogramë kokainë. Është zhvilluar një bisedë zyrtare me D.S.A.D., i cili ka pranuar se për transportin e drogës nga Sao Paulo për në Shkup është angazhuar nga një shtetas i Maqedonisë, për një shumë prej 5000 euro”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Në bazë të informacioneve të marra nga shtetasi i Brazilit, policia ka identifikuar 3 persona të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në organizimin e transportit të drogë, dy prej të cilëve janë privuar nga liria.
“Në Ohër është kryer bastisje te vëllezërit Q.N. (36) dhe H.N. (28), të cilët janë privuar nga liria pas bastisjes. Po ashtu, zyrtarë policorë nga DPB-Strugë kanë kryer kontrolle në dy lokacione, te S.K. (36), për të cilët është lëshuar urdhër arresti”, shtojnë nga MPB./tv21.tv