Prishtina shënon Ditën Botërore të Muzikës

Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me partnerë të jashtëm, organizon festën e muzikës në kryeqytet. Qëllimi i kësaj feste është promovimi i interpretuesve individual dhe grupor, amator dhe profesional, të cilët prezantohen në skenat e vogla dhe të mëdha të vendosura në disa lokacione me frekuencë të lartë të qytetarëve.
Organizimi i këtij manifestimi bëhet në partneritet me krijuesit dhe interpretuesit vendorë dhe të huaj të cilët do të ftohen të performojnë zhanre të ndryshme të muzikës, në skenat e pajisura me teknike dhe instrumente adekuate, të vendosura në lokacione/lagje të ndryshme në qytetin e Prishtinës, dhe në sheshin “Zahir Pajaziti” e sheshin “Skënderbeu”.
‘Fête de la Musique’ e njohur si Dita Botërore e Muzikës, është një festival vjetor i muzikës që zhvillohet në mbarë botën më datë 21 qershor, në ditën e parë të verës.
Koncepti i kësaj feste muzikore gjithëditore, ishte me origjinë nga muzikanti amerikan Joel Cohen, i cili kaloi dy sezone si një prodhues i programeve muzikore për Radion Kombëtare Franceze.
Kjo ide më vonë ishte përshtatur si një festë kombëtare në Francë, kurse më vonë filloi të festohet në 110 vende të botës.