“Pirja e duhanit në Maqedoni është në nivel të lartë shqetësues”, Mexhiti: Gjysma e popullatës çdo ditë konsumon duhan

TË FUNDIT

Rezultatet nga studimet e bëra për aspektet e sjelljes dhe kulturës për përdorimin dhe braktisjen e duhanit, si dhe prezantim i statusit me investimet në duhan, në vend, tregojnë se pirja e duhanit në vendin tonë është në nivel të lartë shqetësues, përkatësisht gjysma e popullatës çdo ditë konsumon duhan, theksoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në prezantimin e sotëm të studimeve.

Në ngjarje, organizuar në prag të “31 Majit – Ditës botërore pa duhan”, siç kumtoi Ministria e Shëndetësisë, morën pjesë edhe Ane Johansen, përfaqësuese e posaçme e OBSH-së në vend dhe Suzana Ahmeti Janjiq, udhëheqëse e sektorit për prosperitet inkluziv në UNDP.

Ministri theksoi se studime të këtij lloji për herë të parë krahasohen në nivel nacional, të cilat shërbejnë për planifikim të hapave të ardhshëm strategjik, si dhe për ngritjen e vetëdijes publike në drejtim të përforcimit të aktiviteteve nacionale për kontrollin e përdorimit të duhanit dhe prodhimeve të tij. Duke e marrë parasysh gjendjen faktike se përdorimi i duhanit është mes faktorëve kryesorë për morbiditetin dhe mortalitetin nga sëmundje të pangjitshme, është i domosdoshëm planifikimi dhe ndërmarrja e masave aktive për ulje të konsumimit të duhanit dhe prodhimeve të tij.

“Me partnerët tanë, shqyrtojmë krijimin e aktiviteteve të reja, specifike në drejtim të mbështetjes së zbatimit të Konventës kornizë për kontroll të duhanit, në bazë të qëndrimeve të punonjësve shëndetësorë dhe të popullatës”, deklaroi Mexhiti.

Në kuadër të paraqitjes së sotme, ministri i shprehi falënderim Organizatës botërore të shëndetësisë për mbështetjen e vazhdueshme në mbrojtje të shëndetit të popullatës dhe përforcim të sistemit shëndetësor, si dhe UNDP-së dhe të gjitha agjencive të Kombeve të Bashkuara, të cilat punojnë në zhvillim dhe implementim të politikave, strategjive dhe aktiviteteve, siç është Strategjia nacionale zhvillimore për 20 vitet e ardhshme, me qëllimin “Askush të mos anashkalohet”.