Përplasje për buxhetin në arsim / A ka shteti mjete për të furnizuar nxënësit me libra?!

TË FUNDIT

VMRO DPMNE akuzon ministrin e arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqirin për deklaratat se nuk ka mjaftueshëm mjete për printimin e librave në arsim të mesëm.


Vesna Janevska nga kjo parti thotë se është turp të thuhet se s’ka mjete, sepse sipas saj, sivjet Ministria e Arsimit ka buxhet prej 450 milion eurove.

“Kjo deklaratë është e turpshme në shumë aspekte. MASH sivjet ka buxhet prej 450 milion eurove që është 8,4% më i madh se buxheti i vitit 2022, e Shaqiri gjatë prezantimit të tij në Qeveri në fillim të vitit, lavdëroheshte se krenohet me buxhetin që është zhvillimor dhe do të ketë edhe për investime, libra të reja dhe paga më të larta. Nga aq shumë lavdërata arritëm deri aty të mos kemi të holla, e këtu pyesim se ku harxhohen 450 milion eurot të cilat MASH i ka në buxhet, nëse nuk ka të holla për libra?”, thotë Janevska.

Por, ministri i Arsimit dhe Shkencës ka mohuar këto akuza të VMRO-së duke sqaruar më detajisht si qëndron situata me buxhetin për libra. Ai për TV21 tha se është keqinterpretuar nga mediat lidhur me mjetet dhe shton se mjete janë siguruar për të gjithë arsimin fillor dhe të mesëm të përgjithshëm, ndërsa sa i përket arsimit të mesëm profesional, mjetet do të plotësohen sepse atje ka shumë drejtime.

“Unë deklaratën të cilën e dhashë, e dhashë që shpresoj të kem për të gjitha lëndët mjete, dhe brenda kohës dhe në bazë të buxhetit konform të cilin e kam, janë siguruar mjete buxhetore për të gjithë arsimin fillor, për arsimin e mesëm të përgjithshëm ndërsa për arsimin profesional për herë të parë do të plotësohet, shpresoj të realizohen të gjitha. Kam thënë që shpresoj dhe jam i mendimit që realisht mendoj që në bazë të buxhetit aktual nuk i plotëson të gjitha kërkesat por që të printohet një libër për të gjitha lëndët, përveç kërkesave buxhetore ka kërkesa edhe të miratimit se janë shumë drejtime në arsimin profesional”, tha Shaqiri në “10 Minuta”.

Përndryshe sipas anketës së realizuar nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup, 57,3% e qytetarëve konsiderojnë se arsimi në Maqedoni nuk është cilësor. Nota mesatare nga 1 deri në 5, qytetarët gjendjen e arsimit në vend e kanë vlerësuar me notën 2,64.