Përplasja Muaremi-Ruskoska, Policia Financiare ka dorëzuar kallëzim në Prokurori

TË FUNDIT

Drejtoria e Policisë Financiare sot ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, njoftuan nga Drejtoria duke theksuar se në kallëzim janë përfshirë të gjithë prokurorët për të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale, përcjell TV21.

“Duke qenë se procedura për të gjithë të paraqiturit është e fshehtë që nga ky moment, duke respektuar prezumimin e pafajësisë së të denoncuarve, kjo është gjithçka që mund të ndajmë me publikun në këtë moment, sipas Ligjit për Procedurën Penale” thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Policisë Financiare.

Ndryshe, drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi kohë më parë paralajmëroi se do të dorëzojë kallëzimet penale ndaj prokurorëve që kanë kryer bastisjen në Drejtorinë që ai drejton.

Ai paralajmëroi kallëzime kundër Vilma Ruskovskës, Ivana Trajçevës dhe Elizabeta Josifovskës, nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, me arsyetimin se e kanë keqpërdorur detyrën dhe kanë bërë falsifikim të dokumenteve zyrtare, për shkak se sipas Policisë Financiare, prokurorët kanë dorëzuar në gjykatë të dhëna të rreme për të marrë urdhër për bastisje, duke mos respektuar Ligjin për Procedurën Penale.

Ditë më parë, prokurorja Vilma Ruskovska u ankua për presion në punën e saj, e për këtë kërkoi ndihmë edhe nga ambasadat e huaja në vend, por si ajo e SHBA-ve po ashtu edhe delegacioni i BE-së, dolën me qëndrim se çështja duhet zgjidhur nga organet kompetente të vendit. Ndërkaq, Drejtori i Policisë Financiare Muaremi i ka kërkuar prokurores Ruskovska që nëse ka prova, të ngrejë akuzë kundër tij.

error: Content is protected !!