Përmirësimi i mjedisit biznesor – me premtime

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka pritur sot në një takim kreun e Odës
Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili shoqërohej nga disa drejtues të bizneseve
të fushave që kryesisht mbulohet nga kjo ministri, me të cilët ka diskutuar për mjedisin
biznesor, sfidat energjetike dhe mundësitë e eliminimit të barrierave aktuale.
Ministri Stavileci pas takimit tha se përfaqësuesve të biznesit u ka prezantuar planet e
Qeverisë për fushat që lidhen drejtpërdrejtë me to, si mund të jenë ato konkurruese, duke
ditur se barriera numër një e të bërit biznes është furnizimi i qëndrueshëm me energji
elektrike.
Me këtë rast, Stavileci ka përmendur edhe iniciativat për krijimin e fondeve zhvillimore,
siç janë fondi për fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve
Elektronike dhe fondi për Efiçiencë së Eenergjisë dhe BRE, që do të jenë mbështetës për
bizneset ekzistuese dhe ato të reja.
Sipas Stavilecit, shqetësimet e biznesit të artikuluara përmes OEK-ut janë të arsyeshme
dhe përveç MZHE-së, disa prej tyre kanë të bëjnë edhe institucione të pavarura, siç janë
rregullatorët, ATK-ja dhe Doganat, por në bashkëpunim me institucionet e linjës do të
kërkojë zgjidhjen e tyre.
Sa i përket adresimit të problemeve, i pari i MZHE-së tha se disa prej tyre me mund të
zgjidhen në një periudhë të shkurtër kohore, duke potencuar fushat si BRE dhe minierat,
Për të cilat synohet lehtësimi i procedurave përmes krijimit të “One Stop Shop” dhe
harmonizimin afateve të licencave, përmes ndërhyrjeve në legjislacion.
Nga ana e tij, kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se ndër sfidat me të cilat
ballafaqohet ambienti biznesor është edhe çmimi i energjisë dhe furnizimi me energji
elektrike. Ai tha se ka kërkuar nga ministri nga i cili mori garanci se do të ketë një One
Stop Shop ku bizneset që investojnë në energji alternative të mos bredhin nga
një agjencion në tjetrin, por të kenë një zyre për këtë drejtim.
Gërxhaliu tha se beson se do të gjejë mbështetje përmes MZHE-së dhe Këshillit
Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, që të eliminohen disa barriera për import të pajisjeve
në prodhim të energjisë alternative, e në veçanti ato hidro, sepse në këtë drejtim është një
disproporcion përballë vendeve të rajonit.
Ndryshe, prëveç drejtuesve të OEK, në takim të pranishëm ishin drejtues të kompanive
Mabetex, OTI Sllovenia, Shoqata e Artarëve të Kosovës, ECO Trade, Eurometal dhe
Eurohidro.