Osmani në Athinë në takime me Sakelaropullu, Micotakis, Dendias dhe Varviciotis

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani sot do të realizojë vizitë pune në Greqi, me ftesë të homologut të tij, ministrit të Punëve të Jashtme, Nikollas Dendias, ndërsa do të takohet edhe me presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, kryeministrin Kirjakos Micotakis dhe ministrin alternativ për Çështje Evropiane, Miltiadis Varvitsiotis.

Paradite, shefi i diplomacisë do të pritet nga presidentja greke, me çka do të fillojë edhe vizita e punës në Athinë, ndërsa nga Pallati presidencial do të shkojë në takim me homologun e tij grek.

Dendias dhe Osmani, siç kumtoi MPJ, do të bisedojnë për tema në lidhje me marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, intensifikimi dhe thellimi i dialogut politik në fusha të ndryshme, si dhe Plani Aksionar për bashkëpunim dhe implementim të Marrëveshjes për Partneritet Strategjik (Prespa).

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë kumtuan se fokusi i bisedave do të jenë çështjet lidhur me marrëdhëniet bilaterale politike dhe ekonomike, duke përfshirë edhe bashkëpunimin për ballafaqim me pasojat nga pandemia, si dhe tema me interes rajonal me theks në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Shefat e diplomacive të dy vendeve, siç tanime publikoi MIA, pas takimit do të nënshkruajnë edhe tre memorandume për bashkëpunim: njëri do të jetë për mbrojtje civile, tjetri për bashkëpunim të akademive diplomatike dhe i treti mes “Invest North Macedonia“ dhe “Enterprise Greece”.

Pas nënshkrimit të memorandumeve, do të vijojë edhe konferencë për shtyp në MPJ-në greke të shefave të dy diplomacive.

Osmani do të takohet edhe me shefin alterantiv të diploamcisë greke, Varviciotis, ndërsa, vizitën e punës në Athinë do ta përfundojë me takimin me kryeministrin e Greqisë, Kirjakos Micotakis.

Në kuadër të takimeve tjera me përfaqësuesit e kreut shtetëror, sipas MPJ-së RMV-së, do të hapen tema për avancimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar ndërmjet dy vendeve, prioriteteve strategjike për lidhjen me gas dhe derivate, si dhe pjesëmarrje të Republikës së Maqedonisë së Veriut në terminalin e gazit “Aleksandropolis” në Greqi.

Në takimet do të bisedohet edhe për aktualitetet politike në rajon dhe bashkëpunimin rajonal, veçanërisht për perspektivën e tij evropiane dhe euroatlantike dhe mbështetjen që Greqia ia jep Maqedonisë së Veriut në këtë kontekst, qëndron në kumtesën e MPJ-së.