Nuk ka shtrëngim të masave mbrojtëse/ Rritja e infektimeve është e lehtë, KSI apelon për respektimin e masave

TË FUNDIT

Ka rritje të lehtë të rasteve me virusin korona, andaj Komisioni për Sëmundje Ngjitëse në mbledhjen e sotme nuk vlerësoi se duhet shtrëngim i masave mbrojtëse. Thonë se vendi është në fazë të përhapjes së gjerë dhe e përgatitur me kapacitete për përgjigje ndaj gjendjes.

“Në këto kushte, Komisioni nuk rekomandon vendosjen e masave të reja kufizuese dhe apelon që qytetarët që të sillen me ndërgjegje dhe të respektojnë masat që janë në fuqi, si mbajtja e detyrueshme e maskave mbrojtëse në objektet shëndetësore, barnatore, në transportin publik dhe në ambientet e kujdesit familjar. Është  e rëndësishme që qytetarët të cilët  kanë simptoma ose dyshojnë se janë pozitiv me COVID, të sillen me përgjegjësi dhe të mbrojnë njerëzit përreth tyre duke shmangur kontaktin e ngushtë me persona të tjerë dhe duke qëndruar në dhoma të mbyllura pa maska.”- thanë nga Komisioni i Sëmundje Ngjitëse.

Edhe qytetarët vlerësojnë se maskat tani për tani janë masë e mjaftueshme për t’u mbrojtur.

“Mendoj që maskat janë të mjaftueshme. Nëse të gjithë i mbajnë dhe atje ku duhet të mbahen, mbahen. Mendoj që kjo është mbrojtje e shkëlqyeshme”.

 “Nuk duhet asnjë masë, populli asgjë nuk di, çfarë është, si është. Sistemi shëndetësor asgjë nuk di, asnjë protokoll, asnjë masë. Më e mira është t’i lëshojnë të gjithë lirshëm, kur të mbarojë do mbarojë. Kjo që po bëhet është turp. Testet private, me miliona euro luajnë. Turp.

Për dallin nga vendi ynë, shtetet e rajonit kanë nisur shtrëngimin e masave mbrojtëse. Në Bullgari maskat në ambiente të mbyllura sërish janë bërë të detyrueshme. Edhe në Mal të Zi për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike është vendosur mbajtje e detyrueshme e maskave mbrojtëse. Nga ana tjetër, autoritetet shëndetësore në Greqi, thonë se synimi i tyre nuk është të mos ketë masa që do të ishin të detyrueshme dhe se gjithçka do të varet nga situata në vjeshtë, por duan që Kovid-19 edhe pse mbetet një pandemi ta trajtojnë si sëmundje endemike, “ku nuk do të ketë nevojë për masa të ashpra apo të detyrueshme”.