Nuk ka dilema se a do të bëhen ndryshimet kushtetuese, por mendohet në ndryshimin e aneksit të marrëveshjes aktuale apo të përpilohet aneks i ri i marrëveshjes me të cilin do të definohet vetëm dinamika e realizimit të planit franko – gjerman të Bashkimit Europian.
Këtë e bëri të ditur Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa, pjesë e koalicionit VLEN i cili do të jetë në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.
Madje Ibrahimi siguroi se për këtë nuk ka dilema as edhe VMRO-DPMNE-ja.
“Nuk mendohet për ndryshimin e planit franko – gjerman. Unë isha i saktë – synimi është që të bëhen ndryshime në aneksin e marrëveshjes dhe në tekstin e kornizës së marrëveshjes – me BE-në për hapjen e negociatave. Çështja është që të bëhet intervenim në dinamikën e realizimit të aneksit të Marrëveshjes për ndryshimet kushtetuese ose të bëhet aneks tjetër që përcakton dinamikën e implementimit të atyre ndryshimeve. Nuk është çështja te fakti se a do të bëhen ato ndryshime, këtë çështje e kemi të mbyllur. Patjetër që do të bëhen. VMRO-ja vetë e ka thënë se ne nuk e kemi çështjen e ndryshimeve kushtetuese, ata thonë se këtë nuk duan ta bëjnë nën diktat të Bullgarisë”, tha Ibrahimi