Shtetit i mungojnë hotele të mira, por ekzistojnë pengesa burokratike, veçanërisht në zonat e mbrojtura. Është koha të thjeshtësojmë procedurën për ndërtimin e tyre. Këtë e tha zv/kryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski në tryezën “Autostrada E-75: Infrastruktura si bazë për zhvillimin e turizmit tranzit”.
“Në momentin aktual jemi në një situatë ku është vërtet e komplikuar të ndërtohet. Planet urbanistike miratohen shumë vonë. Për të mos përmendur zonat e mbrojtura si Ohri, pjesën e vjetër të Manastirit, Krusheva, Kratova, Çarshia e vjetër e Shkupit, të cilat janë të mbrojtura, aty është praktikisht e pamundur. Ne nuk mund të flasim për turizëm dhe në qendrën kryesore turistike të mos ketë asnjë hotel me pesë yje dhe të mos ketë një vend të denjë ku njerëzit mund të akomodohen. Dhe të ketë kufizime prej dy, tre ose katër kate, ku askush nuk do të investonte sepse nuk mund të ketë kthim të investimit”, tha Nikolloski.
Sipas Nikollovskit, shteti dhe publiku duhet të fillojnë të mendojnë për një strategji për thjeshtimin e procedurave për ndërtim, si të tërhiqen investitorët për ndërtimin e hoteleve, veçanërisht në zonat e mbrojtura.
“Për këtë arsye dua ta hap këtë temë, mendoj se duhet ta shqyrtojë edhe publiku. Nga njëra anë është në rregull, duhet të ketë mbrojtje, por nga ana tjetër nëse duam të zhvillohemi, përsëris në pjesën e ndërtimit të hoteleve, jo ndërtimit të ndërtesave, jo ndërtimit të apartamenteve, duhet të lehtësojmë procedurën, që më shumë investitorë të investojnë dhe që në këtë mënyrë të tërheqim turistë”, tha Nikolloski.
Nikollovski tha se Maqedonia është ndër shtetet e rralla me rritje me dy shifra të turistëve, dhe për vetëm një vit janë futur 21 linja ajrore direkte nga metropolet evropiane. Ai theksoi rëndësinë e Korridorit 10 si rrugë transporti evropiane ku kalojnë turistë tranzit. Tha se potenciali turistik i Maqedonisë nuk është shfrytëzuar as 10% dhe se shteti ka shansin të bëhet qendër e turizmit tranzit dhe kulturor në rajon.
