Nepal, nga rrëshqitjet e tokës vdesin 17 persona

Shirat e dendura kanë shkaktuar rrëshqitje të mëdha të tokës, që shkatërruan plotësisht disa shtëpi në rajonet malore, ku humbën jetën 17 persona.
Fatkeqësia natyrore ndodhi në Chapakot dhe Lumle të cilat ndodhen në afërsi të destinacionit të famshëm turistik Pokhar.
“Deri më tani kanë humbur jetën 17 persona, duke përfshirë 10 gra, 6 meshkuj dhe një fëmijë gjashtë vjeçar”, tha për AA oficeri i policisë, Mahesh Godar, duke shtuar se 20 persona konsiderohen të zhdukur, ndërsa 16 të plagosur u shtruan në spital.
Rrëshqitjet e dheut gjithashtu kanë dëmtuar edhe një numër të madh të rrugëve, kështu që ekipeve të shpëtimit iu është vështirësuar puna në terren.
Në Nepal çdo vit gjatë verës humbin jetën një numër i madh i njerëzve për shkak të sezonit të shirave muson që shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje të tokës.