Ka ndërruar jetë ish ministrja e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Ilinka Mitreva, përcjell TV21. Lajmin e kanë bërë të ditur nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë.
“Ngushëllime të sinqerta familjes së të ndjerës para kohe, Ilinka Mitreva, ish-deputete nga radhët e LSDM-së dhe ministre e Punëve të Jashtme”, thuhet mes tjerash në njoftimin e LSDM-së.
Ilinka Mitreva ka lindur më 11 shkurt të vitit 1950 në Shkup. Pas diplomimit në Fakultetin Filologjik në Shkup – grupi filologji rumune në vitin 1973, ka magjistruar në Fakultetin Filologjik në Beograd, ndërsa pastaj edhe ka doktoruar në Fakultetin Filologjik në Shkup.
Që nga viti 1974 deri në vitin 2001 ka punuar si asistente më e re, docente dhe shefe e Katedrës së Gjuhës Rumune dhe Letërsisë në Fakultetin Filologjik në Shkup. Profesoreshë e letërsisë franceze në Katedrën e Gjuhës Rumune dhe Letërsisë është që nga 23 nëntori i vitit 2001 deri më 31 tetor 2022. Mitreva është autore e shumë punimeve shkencore.
Funksionin e deputetes në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë e ka kryer nga viti 1994 deri në vitin 2001. Mitreva ishte kryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme dhe kryetare e Delegacionit të Maqedonisë në Dimensionin Parlamentar të Iniciativës Qendrore-Evropiane, shefe e grupit parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin Evropian dhe anëtare e Bordit Inicues për krijimin të klubeve të NATO-s.
Nga 13 maji deri më 23 nëntor 2001 ishte ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë. Pas fitores së LSDM-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, ajo përsëri u emërua në këtë funksion nga 1 nëntori 2002, ku qëndroi deri më 26 gusht 2006.
Ajo ishte dekoruar me tri dekorata të Republikës Franceze në vitin 1998 dhe 2016, ndërsa të tretën – çmimin më të lartë francez – “Kalorësi i Legjionit të Nderit” në vitin 2021.
