Ministrja Bajrami: Investoni në Kosovë!

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, thotë se ekonomia është fokusi kryesor i Qeverisë së Kosovës. Me këtë deklaratë ajo e ka siguruar edhe Chris Gilbert, shefin e kompanisë “Fox Marble” njërit prej bizneseve britaneze në Kosovë.
Kjo kompani ka investuar në Kosovë në sektorin e përpunimit të gurit dekorativ – mermerit.
Ministrja Bajrami informoi mysafirët me aktivitetet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që kanë për qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e sektorit privat, përfshirë përmirësimin e klimës së biznesit dhe inkurajimin e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë.
Përveç që ka siguruar mysafirët se ekonomia është fokusi kryesor i Qeverisë së Kosovës, Bajrami ka shtuar se ambienti i biznesit po përmirësohet në vazhdimësi dhe së shpejti pritet edhe aprovimi i pakos së re fiskale e cila do ta lehtësojë edhe më tej zhvillimin e biznesit në Kosovë.
Drejtuesit e Fox Marble e informuan ministren për aktivitetet e tanishme biznesore dhe për planet për zgjerimin e investimeve të tyre edhe në sektorë të tjerë industrial në Kosovë, me fokus të veçantë në sektorin e bujqësisë.