Thirrja për bojkotin e marketeve të premten për shkak të rritjes enorme të çmimeve i mobilizoi qytetarët. Në rrjetet sociale mbështetje masive për bojkotin. Mbështetje arriti edhe nga zyrtarët, organizatat civile, aktivistët.
Këtë mëngjes në kutitë postare të ndërtesave në disa pjesë të Shkupit u vendosën pamflete me thirrje deri te qytetarët që të mos blejnë, që të bëhet presion ndaj tregtarëve.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski ka mirëkuptim për thirrjen për bojkot. Ka pasur takim me Komisionin për mbrojtje të konkurrencës, ministrin dhe zv.ministrin e ekonomisë dhe Drejtorin e inspektoratit të tregut. Ka urdhëruar kontrolle të përforcuara. Por së pari në dy zinxhirë të marketeve që i përmendën gazetarët në konferencën e djshme për media.
“Sot dhe ditëve në vijim të njëjtët do të kenë kontrolle rigoroze, për shkak se sipas informacioneve me të cilat disponojmë, kemi rreth dhjetëra mijëra klientë për zinxhir të supermarketeve”, tha Hristijan Mickoski.
Por nga Komisioni për mbrojtje nga konkurrenca, që duhet të zbatojë Ligjin për praktika të padrejta tregtare, aksione në terren paralajmërojnë nga java e ardhshme.
“Nga java e ardhshme komisioni planifikon të dalë në terren, me qëllim që të, mendoj që të kontrollojmë Ligjin për praktika të padrejta tregtare, përkatësisht nëse janë harmonizuar edhe marrëveshjet mes tregtarëve dhe furnizuesve”, deklaroi Mallinka Siljanovska Nikoliq.
Pas takimit me kryeministrin, ministri i ekonomisë, Besar Durimishi në Facebook doli me mbështetje për bojkotin e marketeve. Thotë se pushteti paraprak i ka toleruar tregtarët, që për profit shtesë përmes rritjes joreale të çmimeve janë pasuruar në kurriz të qytetarëve.
Tani për tani nga zinxhirët e marketeve nuk ka asnjë reagim zyrtar.
Nga oda ekonomike për TV21 thonë se që të shqyrtohen masat eventuale, nevojitet që organizatorët e bojkotiti të organizojnë bord dhe të kërkojnë takim.
“Revolti i tillë është më shumë se porosi dhe nuk presim që kjo në mënyrë dramatike të ndikojë në treg, nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje sistematike”, thotë Oda Ekonomike.
Nga Lidhja e Odave ekonomike thonë se çmimet nuk janë problem vetëm te ne por janë problem global.
“Me protesta nuk e besoj se do të zgjidhet problemi për shkak se kjo nuk do t’i ulë çmimet dhe nuk do të ul nevojat për këto produkte”, deklaroi Orce Simov.
Përndryshe, mobilizim masiv të qytetarëve ka në gjithë rajonin. Në Kroaci tashmë kishte bojkot të premten e kaluar dhe u tregua si i suksesshëm. Edhe në rrjetet sociale të Bosnjës dhe Hercegovinës po shpërndahen thirrje për bojkot të premten, ndërsa tashmë po mobilizohen edhe qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe Sllovenisë.
