Lin Jian: Marrëdhëniet të jenë të mbështetura në bazë të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime reciproke

TË FUNDIT

Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit , Kurt Campbell, gjatë një mbledhjeje të Kongresit një ditë më parë, u shpreh se Kina është “sfida më e madhe në histori”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Lin Jian, duke komentuar këtë deklaratë vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara e shikojnë situatën ndërkombëtare dhe i përkufizojnë marrëdhëniet kino-amerikane nga perspektiva e konkurrencës strategjike. Ata e konsiderojnë gabimisht Kinën si sfidën më të madhe. Kjo nuk është në të mirën e të dy popujve, as në përputhje me pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar. Sipas tij, Kina i përkushtohet bashkëpunimit miqësor me vendet e tjera dhe zhvillimit të marrëdhënieve normale, por jo për të kundërshtuar palë të treta.
“Kina ka ndjekur gjithmonë një politikë ushtarake mbrojtëse. Ajo ka zhvilluar aftësi të kufizuara për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të mos shënjestruar asnjë vend. Faktet janë plotësisht të qarta, ndaj të cilave komuniteti ndërkombëtar ka nxjerrë konkluzionet e veta”, tha Lin Jian.
Ai kërkoi që pala amerikane të vërë në jetë premtimet e Presidentit Joe Biden sipas të cilave ShBA-ja nuk synon ndryshimin e sistemit të Kinës, nuk synon një Luftë të Ftohtë të re, nuk synon forcimin e aleancave për t’iu kundërvënë Kinës, nuk përkrah ‘pavarësinë e Tajvanit’ dhe nuk dëshiron të ketë konflikt me Kinën. Ata duhet të punojnë së bashku për ta çuar përpara zhvillimin e qëndrueshëm, të shëndetshëm dhe të vazhdueshëm të marrëdhënieve kino-amerikane në bazë të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime reciproke”, tha zëdhënësi i diplomacisë kineze Lin Jian