Lansohet projekti për efiçiencë të energjisë elektrike

Minisria e Zhvillimit Ekonomik dhe Banka Botërore të hënën kanë lansuar projektin për efiçiencë të energjisë dhe energji të ripërtëritshme në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që do të përkrahet përmes kredisë së IDA-së në vlerë prej 31 milionë dollarësh.
Në këtë ceremoni është theksuar se Kosova nuk është aq e pasur të jetë në gjendje t’i lejojë vetes konsumin e pa-nevojshëm të energjisë elektrike. Mungesa e energjisë elektrike, viteve të fundit ka qenë njëra nga barrierat kryesore për të bërë biznes, kjo është dëshmuar edhe nga anketime të ndryshme.
Blerand Stavilci, ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se në programin e qeverisë së Kosovës, energjia elektrike është njëra nga objektivat kryesore për të siguruar energji të qëndrueshme për të gjithë qytetarët dhe bizneset, si dhe po ashtu për të zbatuar standardet e ndryshme të cilat janë të definuara me direktivat e Bashkimit Evropian, sidomos sa i takon masave të efiçiencës dhe energjisë së ripërtërishme.
Ai ka theksuar se është e rëndësishme që të gjitha projektet të ndikojnë në mirëqenie të qytetarëve dhe në avancimin e bizneseve.