Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski sonte në Click Plus në TV21, komentoi kërkesën e BDI-së për dorëheqjen e tij.
“Nuk ndjej absolutisht asnjë përgjegjësi dhe nuk dua të komentoj fare partitë politike. Por si kryetar i Gjykatës Kushtetueses jam i detyruar të reagoj në rast se partitë tregojnë një kulturë të ulët politike, sepse jam i detyruar të mbroj integritetin e Gjykatës”, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski në Click Plus.
Kostadinovski tutje, theksoi se BDI para seancës ka thënë shumë gënjeshtra.
“U krijua një atmosferë e tillë false, aq shumë gënjeshtra u thanë, unë nuk mund të konkurroj me politikanët për të mohuar deklaratat e tyre. E kuptojmë luftën për vota, por ka disa standarde minimale, edhe në një betejë politike ka vija të kuqe. Mund të jetë një betejë politike, por jo në kurriz të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese u quajt një organizatë parapolitike. Janë thënë një duzinë gënjeshtra për diskriminimin etnik, për vendimmarrje monoetnike, për ekzekutimin e vendimeve politike dhe gënjeshtra të tilla janë të rrezikshme për publikun”, shtoi tutje Kostadinovski.