“Ka marrëveshje”, por ka edhe dallime! Gjithçka çfarë ndodhi në Ohër

TË FUNDIT

Liqeni i Ohrit nuk ishte shkas që të kemi një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Palët përparuan në gjetjen e zgjidhjes, por nuk u hodh firma në marrëveshjen. U arrit vetëm pajtim publik për një aneks që do të siguronte zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Edhe pse si pala serbe, edhe ajo kosovare njoftoi se ka marrëveshje, dallimet ekzistojnë në formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe – për të cilën insiston pala serbe, dhe në fatin e të pagjeturve – për të cilën insiston pala kosovare.

“Për ne është me rëndësi formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë dhe më duhet të them se jam shumë i kënaqur në këtë drejtim. Ende flitet për persona të pagjetur, për konferenca të donatorëve, por kjo do të varet nga ajo se si plani i implementimit”, tha presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, transmeton TV21.

“Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë defakto mes Kosovës dhe Serbisë. Tash e kemi edhe aneksin e zbatimit të marrëveshjes”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkaq pala ndërmjetësuese njoftoi se në takim është dakorduar për të ashtuquajturin “vetmenaxhim të komunave me shumicë serbe”, që sipas palës kosovare nuk nënkupton formim të asociacionit.

“Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë dhe kur them menjëherë negocimin me dialogun e lehtësuar nga BE për të krijuar, për të vendosur aranzhimet, rregullimet dhe përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”, tha Shefi i Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell

Pala evropiane njoftoi se takimi i radhës do të realizohet në Bruksel, me tendencë për t’u nënshkruar marrëveshja bazë e arritur qysh në takimin e realizuar në fund të shkurtit.

Palës ndërmjetëse i mbetet obligimi që të ushtrojë presion që kjo marrëveshje të marrë formën zyrtare dhe fuqinë e një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme ndërkombëtarisht.