Kryeministri Dimitar Kovaçevski beson se në maj të vitit të ardhshëm do të ketë hapësirë të mjaftueshme për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në mandatin e tyre të rregullt, përcjell TV21. Qëndrimet përfundimtare për këtë çështje, shtoi ai, do të shpallen kur partitë politike parlamentare të arrijnë një konsensus më të gjerë. Dimitar Kovaçevski thotë se me BDI-në kanë marrëveshje të qartë per kryeministrin shqiptar, dhe thekson se ajo është publike që nga viti 2020. Kovaçevski pohon se punohet për të ashtuquajturin “Front Europian”, por nuk jep detaje nëse i është ofruar BDI-së që të shkojnë me kandidat të përbashkët për president, me lista të përbashkëta në zgjedhjet parlamentare, në këmbim të asaj që integristët të heqin dorë nga marrëveshja për kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të kësaj Qeverie.
“Ne me BDI-në kemi marrëveshje të qartë të koalicionit që është publikuar në opinion në vitin 2020, gjithsesi se flitet me ta për modalitetet, megjithatë mendoj se qëllimi për realizimin e koalicionit europian që do të udhëheqë një front të gjerë në lidhje me promovimin e kësaj ideje, është ideja kyçe që do të bind partitë në zgjedhjet e ardhshme. Rreth të gjitha detajeve dhe në lidhje me të gjitha zgjidhjet në kuadro që do të vijojnë në periudhën e ardhshme, do të shpërndahen me publikun ashtu siç do të miratohen nga ana e organeve zyrtare të partive politike”, deklaroi Dimitar Kovaçevski – kryeministër.