Jeton Shaqiri i drejtohet publikut! Largohet nga MShIA, shkon në MASh

TË FUNDIT

Jeton Shaqiri, kuadër i BDI-së, para pak minutash, nëpërmjet një kumtese për media, i është drejtuar publikut.

Këtë e ka bërë pasi sot ka ditën e fundit si ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, ndërkaq pritet të zgjedhet ministër i Arsimit dhe Shkencës, pasi nesër hyn në procedurë kuvendore përbërja e re qeveritare, transmeton TV21.

Në vend të tij, në MShIA do të vjen Admirim Aliti nga radhët e Alternativës, ndërkaq nga MASh-i, për t’ia liruar vendin Shaqirit, largohet Mila Carovksa nga LSDM-ja, e cila nuk do të bartë asnjë funksion në qeverinë që do të udhëhiqet nga Dimitar Kovaçevski.

Më poshtë kumtesa e Jeton Shaqirit në formë të integruar:

Sot, përmbylla edhe ditën time të fundit si Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.
Që nga dita ime e parë e marrjes së këtij mandati dhe deri në ditën e tij të fundit, puna ime është karakterizuar dhe udhëhequr nga parimi i transparencës dhe ndershmërisë sepse unë besoj se ndershmëria është politika më e mirë.
Ka qenë një periudhë e mbushur me shumë sfida dhe arritje.
Reforma në administratën shtetërore, Ligji për udhëheqësit e lartë, Ligji për të punësuarit në sektorin publik, Ligji për nëpunësit administrativ, digjitalizimi i shërbimeve, projekti “Një pikë shërbimi”, sistemi i interoperabilitetit, identifikimi digjital, Strategjia nacionale e TIK-ut, web-faqet e unifikuara, Strategjia e të dhënave të hapura, Sistemi për menaxhimin e dokumenteve (DMS), projekti për sigurinë kibernetike, “Roam like at home”, përmirësimi i rrjetit të telekomunikimit, harmonizimi i legjislacionit vendas me atë evropian në fushën e medias janë procese të pakthyeshme, për realizimin e së cilëve është punuar dhe po punohet me përkushtimin më të madh.
Këto procese janë të pandalshme dhe të pakthyeshme, ashtu siç është edhe rruga e Maqedonisë së Veriut drejt integrimeve euroatlantike dhe Bashkimit Evropian. Për këtë arsye, jam i gatshëm që ministrit të ardhshëm t’i ofroj mbështetjen dhe konsulencën time, në mënyrë që të vazhdojë pa pengesa realizimi i këtyre proceseve.
Tani i gjithë fokusi im drejtohet kah e ardhmja dhe sfidat e reja që ajo sjell me vete. Duke e njohur veten time dhe duke u udhëhequr nga parimet e transparencës dhe ndershmërisë në punë, besoj se do t’ja dal mbanë me sukses secilës sfidë me të cilën do të përballem.
/TV21

MARKETING I PAGUAR POLITIK