INTERVISTA – PËRGJIMI I POLITIKANËVE, YLLI RAKIPI: DUHET TË HAPEN LETRAT

Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i RTV “Ora News”, Ylli Rakipi, ka komentuar zhvillimet më të fundit politike në një intervistë me gazetarin Patrik Sadikaj në studion e këtij televizioni. Çështja e ditës, përgjimi i politikanëve, ndërmjet tyre edhe i vetë botuesit Rakipi, siç thuhet nga media, ka qënë tema e parë e diskutimit dhe e dyta, “rënia” e Lazaratit dhe a është vërtet, rreziku që vjen nga bimët narkotike, më i madhi për Shqipërinë.
Sadikaj: Z.Rakipi, a e shihni përgjimin si një çështje vërtet të mprehtë? A është problem që kemi ka shumë politikanë të vënë në përgjim?
Rakipi: Ky është një moment që unë them se duhet ndarë në dy momente të rëndësishme: Së pari, që ky të jetë një problem i rëndësishëm duhet të hapen letrat. Nëse ky është i tillë, siç interpretohet, është e rëndësishme hapja e këtyre letrave.
Po rezervohen në hapjen e letrave, sipas jush?
Deri tani unë nuk e di. Deri tani ne kemi insinuatat që ka krijuar media, së pari. Së dyti, mendohet që është një raport i Komisionit Parlamentar për këtë punë, por duhet të hapen letrat. Nëse ka elementë të tillë, ato duhet të konsiderohen shumë të rrezikshëm, sepse në fund të fundit bëhet fjalë për ekzistencën e një Shërbimi Sekret jo në punën e vet. Nëse ka elementë të tillë, do të thotë që kemi të bëjmë me “Polici politike”.
Z.Meta tha se do të ndëshkohen përgjegjësit, nëse kanë kryer përgjime të paligjshme. Çfarë do të thotë kjo?
Natyrisht, sepse kjo është “Polici politike” dhe është në natyrën e diktaturave. Bile është më keq se diktatura. Gjithmonë nëse është e tillë. Duhet të rezervojmë mendimin që të presim letrat, sepse në diktaturë, jeta e tjetrit ka qënë një nga elementët, që ka mbajtur gjallë diktaturën. Përgjimi i jetës së tjetrit, spiunimi, ngritja e një makine të tërë, e cila ka krijuar si të thuash, krijoi, mbante gjallë diktaturën, mbante emocionin e frikës në maksimum, do të thotë që vazhdimi pastaj në kohën e re, në kohën që ne jemi ende, në tranzicion, në demokraci, i kësaj mënyre, është “Polici politike”; do të thotë që Shqipëria është ende larg të qënit, ende shumë lart të qënit, një vend demokratik, një vend me elementët më të qenësishëm të demokracisë, jo vetëm demokratik, sepse ne sigurisht që jemi të dyshuar për të qënë një vend i demokracisë liberale.
Megjithatë Shqipëria nuk është precedenti i vetëm që ka pasur përgjime të kësaj natyre…Kemi NSA-në në SHBA që ka përgjuar gjithë botën.
Ju keni të drejtë për këtë, por pjesërisht them unë, sepse përgjimet në këtë rast janë përgjime për interesa shtetërore, për interesa të një fuqie të madhe, të “superfuqisë” që ne ende vazhdojmë ta kemi, për fat të mirë, të fuqisë më të madhe në botë këto 60 vjet, Shteteve të Bashkuara; përgjime mes shteteve. Ato që janë përgjime brenda shteteve, janë përgjime të njohura edhe nga ligji, kur ato bëhen me ligj sigurisht; janë shumë të njohura, janë shumë të kontrolluara. Organet e ligjit që janë Prokuroria dhe institucionet e rëndësishme të kësaj natyre hedhin firmën për këtë, për përgjime të kësaj natyre, të cilat kanë të bëjnë me zbulimin e elementëve kriminalë, shumë kriminalë. Pra, janë momente të pranuara dhe të vjetra. Vijnë që nga kohët e vjetra, por në demokraci, në këtë sistem, ato janë gati – gati të sanksionuara, të kontrolluara, në mënyrë që jeta e tjetrit të mos jetë e rrezikuar dhe aq më tepër, siç vjen në ditët tona, këto janë elementë të një Policie politike.
Unë personalisht mund t’ju thosha që e njoh këtë mënyrë “komunikimi” në këto 20 vjet në Shqipëri, duke qënë dikur botues i një gazete të rëndësishme në median shqiptare. Më ka ndodhur ta shoh nga afër këtë; më ka rastisur të kem prova. Politika shqiptare, politika më e lartë shqiptare, e ka kryer këtë me një zell të jashtëzakonshëm, për të përgjuar kundërshtarin politik, për të përgjuar njerëz të huaj, qoftë edhe të misioneve të huaja.
Mua më ka rastisur, pa përmendur emra sigurisht, kur kam intervistuar një përfaqësues shumë të lartë të një ambasade perëndimore; në momentet e fundit ai është larguar nga intervista. I ka rënë një telefon, është larguar dhe kur unë kam dalë jashtë, dikush më ka telefonuar dhe më ka thënë “Të iku nga intervista”, sepse ai po komunikonte me eprorin e vet në këtë ambasadë. Domethënë, thjesht përgjohej deri dhe një i huaj, që është shumë e vështirë t’i përgjosh, sidomos të huaj shumë të rëndësishëm që janë instaluar këtu, që e kuptojnë menjëherë që ti i përgjon.
E pikërisht për këtë arsye, hapja e letrave ose më saktë, zbrazja e asaj që është mbushur në atë server apo në skripte të gjetura brenda Shërbimit Informativ, siç pretendohet gjithmonë, mund të krijonte destabilitet, turbullira politike e jo vetëm?
Nuk e besoj shumë…turbullira. Hapja e këtyre letrave, nëse janë,- gjithmonë duhet ta themi këtë frazë, – të tilla, do të dekonspironte një praktikë tepër të gabuar, e cila nuk është se i ka bërë mirë, nuk e ka ndihmuar. Kam ndjekur emisione të ditëve të fundit për këtë problem, dje konkretisht, dhe kam parë – nëse këto lista janë të sakta – një nga emrat në to, ishte edhe emri im.
Ishte zgjedhur kjo mënyrë, të paktën siç u tha, që dikush që komunikonte me dikë, njeri nga të dy zgjidhej.
Në rastin tim, për shembull, mund të them që ajo binte në një kohë kur ishte rreziku i ndërrimit të pushteteve dhe Qeveria e asaj kohe, e viteve ’12 deri në fundin e zgjedhjeve, ishte në dilemë të madhe se çfarë ndodhte për ribashkimin Rama – Meta. Dhe këtu për shembull, në këtë rast, janë kontrolluar indirekt telefonat e këtyre personave, por sigurisht që unë nuk bisedoja me Ramën e Metën. Në fakt, nuk kam qënë në Shqipëri, por bisedoja me njerëz të tjerë, të cilët ishin afër këtyre të dyve. Ose në një rast tjetër, që unë nuk dua ta përmend, po brenda këtu, nesh, botuesi apo pronari dhe Presidenti i një kompanie, që s’kishte lidhje fare me këtë punë, ishte vënë nën kontroll për shkak të bisedimeve me njerëz të politikës sepse ky zakonisht, është një komunikim normal, por pastaj kjo kthehet deri në moment qesharak. Është arritur deri atje sa janë marrë vesh se këta përgjoheshin dhe kanë bërë lojë për të kuptuar të kundërtën.
Këto janë momente që e bëjnë njeriun që përgjon, institucionin që përgjon, njeriun që është i interesuar për përgjime, shumë qesharak. Në fund të fundit, i gjithë ky përgjim, që ka karakter politik të këtij lloji, për të përndjekur, për të parë ç’është ai që është afër meje, brenda meje, afër meje apo ai që mund të jetë nesër kundërshtar, vijnë dhe zëvendësohen me një përfundim qesharak. Për shembull, ti, edhe pse e bën gjithë këtë punë, zgjedhjet nuk i fiton.
Pikërisht këtu doja të dilja. A duket sikur nuk dha rezultat kjo gjë?
Jo, sigurisht. Zakonisht kjo lloj përndjekjeje është ndjenja, emocioni i frikës që shoqëron vlerën e pushtetit. Kur pushteti do të bjerë, me elementë të tillë është shumë vështirë ta mbash gjallë, ta mbash në këmbë. Në vendet që aspirojnë për demokraci dhe që janë drejt demokracisë, siç jemi ne, drejt rrugës së demokracisë, edhe këtu ndodh që këto gjëra nuk ecin, sepse ti…Ja dhe e bëre përgjimin, ja edhe e zbulove para kohe…
Mund të përdoret dhe si presion, përgjimi…
E vështirë. Për rastin që njohim ne, është shumë e vështirë t’i thuash tjetrit: “Ti nuk do të ikësh, sepse unë kam marrë vesh që do të ikësh, por ti nuk ikësh!” Çfarë do të jetë presioni në këtë rast?! Është ankthi për të parë se mos po më lë ky dhe unë ika nga pushteti, por në fund, rezultati është zero dhe është qesharak e mbeten vetëm këto shënime, që e bëjnë institucionin tonë të Shërbimit, e bëjnë institucionin, që jo vetëm nuk merret me punët e veta, krejt qesharak.
Për ta finalizuar këtë moment duhet të themi një gjë, që në fund të fundit, ky institucion raporton diku, raporton tek Kryeministri dhe pretendimi i këtyre që janë marrë me këtë punë duket, nga sa kam kuptuar unë deri tani, që këto raportime nuk janë bërë atje ku duhet të bëhen. Le të themi, tek Kryeministri, tek Presidenti – nuk e di saktësisht, nuk është thënë – apo tek njerëzit e tjerë që duhet ta dinë këtë gjë. Ka momente, kur ti ndjek edhe elementin kriminal, kur ky bie, po themi, në kontakt me Kryeministrin e vendit. Ligji e ndalon përgjimin, e stopon dhe e lajmëron menjëherë atë ose merr Ministrin e Brendshëm apo në raste të tjera që kanë vijuar përgjimet, nëse është e tillë, është e jashtëligjshme.
Do të presim edhe hapjen e letrave për të qënë edhe më të qartë për çështjen e përgjimeve, nëse do të hapen.
Sigurisht. Nëse nuk hapen, këto janë lojëra politike, që nuk i sjellin ndojë favor vendit, nuk e favorizojnë aspak vendin.
Dua të ndalemi edhe në ndërhyrjen e autoritetit të shtetit në Lazarat, në Dukagjin apo dhe në rajone të tjera. Po flasim për Lazaratin, meqënëse ka qënë një pikë e nxehtë. A u zgjidh Lazarati? Se u duk sikur u dha një goditje, por më pas po e tërheqim zvarrë, ndoshta edhe pak politikisht.
Realisht, Lazarati si simbol, si interpretonjës-simbol i së keqes, i drogës në Evropë, sigurisht që u mbyll, u stopua. Dhe tani nuk ka, as ata që s’e duan Shqipërinë, por edhe ata që e duan, të huaj, po kurrkush nuk mund të thotë më tani se është kjo qëndër dhe kjo është gjë e rëndësishme mendoj unë. Nga ana tjetër mendoj se Qeveria duhet ta ndihmojë Lazaratin tani, por edhe Lazarati duhet të fillojë të ndihmojë veten. Lazarati, gradualisht, duhet të fillojë ta shikojë veten si pjesa dërrmuese e qyteteve apo fshatrave të Shqipërisë. duhet të fillojë ta shikojë veten me idenë që gjërat nuk rregullohen, jeta mund të rregullohej në këtë mënyrë për një kohë, sidomos në kohë tranzicioni. Shqipëria ka pasur një kohë të gjatë të tillë. Një tranzicion i stërgjatur. Dhe Lazarati duhet “të shihet” vetë në pasqyrë, për t’ia thënë vetes këtë.
E ka bërë këtë, sipas jush?
Sigurisht që nuk besoj se e ka bërë. Ai është një goxha distrikt, një nga komunat më të mëdha të vendit dhe Qeveria duhet të përpiqet të ndërtojë për Lazaratin, të krijojë ndonjë hapësirë edhe më shumë se për të tjerët, se është si i sëmuri që del nga një gjendje dhe duhet të vazhdojë një terapi. Kjo terapi duhet të jetë serioze dhe e vërtetë. Me gjithë problematikat që ka ky vend, me gjithë mungesën e madhe, me gjithë problemet dhe vështirësitë ekonomike, vende të tilla në të cilat krijohet një produkt i pastrimit dhe kjo gjë e domosdoshme, duhet që ta shohë dhe për të krijuar një terapi. Sesa po e bën këtë qeveria…Ne po shohim se deri tani nuk ka ndodhur. Por nga ana tjetër ka dhe një problem tjetër të rëndësishëm. Në shfaqjen e fundit që unë pashë, aty kishte dhe deputetë të opozitës, që kërkonin largimin e policisë nga aty. Sigurisht që qënia e policisë gjithmonë, nuk është një gjë e mirë.
E ka tepruar pak policia me qëndrimin, ndoshta, të mbipopulluar me “uniforma”?
Po mbase ata nuk kanë pasur mundësi çfarë të bëjnë tjetër. Por kur shkon opozita atje dhe kërkon largimin e policisë, nga një distrikt që ende ka problemet e veta atje, këto që thamë, që është shumë e vështirë të kalojë në një gjendje tjetër…
Megjithë pretendimet e qytetarëve, banorëve , policia shpeshherë përfshihet edhe në veprime që nuk i takojnë, rasti konkret, shpërthimi i një momenti trazire për shkak të një ngacmimi të pretenduar nga banorët e Lazaratit.
Edhe kjo nuk përjashtohet. Institucionet tona janë institucione ende të brishta dhe rendi në këtë rast ka problemet e veta të mëdha. Mund edhe të ndodhin këto, por më e spikatura aty ishte prania e deputetëve të opozitës, që bashke më disa banorë aty kërkonin largimin e policisë. Është njësoj sit a kërkosh largimin e policisë në një ngjarje tjetër. Të largohet policia aty se, po themi, në një qytet të madh të Shqipërisë, po ndodh një revoltë e madhe, të thuash të largohet policia. Nëse ajo do të jetë revoltë, le të themi, që do të ketë elementë shkatërrues, policia duhet të jetë e pranishme. Prania e opozitës në këtë rast duhet të jetë disi e kujdesshme. Ka vende plot, ka probleme shumë kjo qeverisje, sa mund të marrësh pikë politike, sat ë duash, por jo në rastet kur po bëhen përpjekje për të vendosur jo vetëm rendin aty. Siç thashë, Qeveria duhet të marrë edhe masa të tjera për një terapi dhe ndihmë për Lazaratin por edhe për zona të tjera që janë realisht tmerrësisht të varfra. Siç janë zonat e veriut, që kanë krijuar vatrat e kultivimit të kësaj bime. Ne jemi gazetarë dhe duhet ta themi, ndryshe nga politikanët, që ka qënë një mënyrë jetese ajo e tyre. Marihuana, kanabisi, janë elementë që në një pjesë të mirë të vendeve po legalizohen. Nuk është se është Shqipëria një vend, që e ka mbytur kjo; nuk është kjo lloji i drogës, që përcakton…Kjo është një bisedë e gjërë.
Nuk ka bos droge këtu, bosë të mëdhenj që janë rreziku i këtij vendi. Kur familjet, vendet më të humbura, kanë mbjellë, qoftë dhe brenda shtëpive të tyre, siç pamë në Lazarat, në mënyra nga më të çuditshmet – jo se duhet nxitur kjo gjë – por bota po sheh, siç janë Shtetet e Bashkuara, që janë vende që e bënë këtë demokraci, këtë sistem që kemi ne tani, edhe ato po shohin edhe për të fituar, për ekonominë e disa shteteve të rëndësishme, pas krizave të mëdha që kaloi ky vend. Pra, nuk duhet parë kjo si një gjë që Shqipëria është e mbytur nga kjo. Kjo ëhstë përdorur nga politika, herë nga njera palë, herë nga tjetra, herë kur ëhstë njera në pushtet, herë kur është tjetra për të qëlluar. E drejtë është ajo që ra një që quhej si simbol, që palët e kishin përdorur.
Nuk e kemi më “kryeqytetin e hashashit”.
Nuk e kemi më, por Shqipëria nuk është e kërcënuar realisht. Kështu mendoj unë. Ndoshta gabohem.
Çfarë e kërcënon më shumë Shqipërinë?
Ekonomia. Gjendja ekonomike nuk është e mirë, jo vetëm sipas shifrave që nxjerrin institucionet, por në vendet e punës. Ka shumë njerëz pa punë, shumë njerëz po kthehen, nga vendet fqinje, që janë në krizë të madhe. Italia është duke rënë në një reçension tjetër, është një vend që e ka ndihmuar shumë Shqipërinë në këtë pikëpamjen e refugjatëve. Greqia po ashtu. Njerëz të panumërt janë kthyer. Pastaj problemi për vendet e punës. Problemi ma i madh është se njerëzit nuk janë të specializuar. Ne nuk kemi hidraulikë, nuk kemi muratorë, nuk kemi elektricistë, ne kemi jurist. Të gjithë këta dergjen rrugëve, vërtiten andej këndej, kurrkush nuk i merr në punë, sepse nuk i duhen, qoftë edhe privatët. Pra, është e vështirë të gjesh fuqi punëtore të kualifikuar. Në këtë pikëpamje , vendi ynë është nën një trysni më të madhe se ç’është trysnia e një krize. Në këtë pikëpamje ka probleme.