Ibrahimi: A ka ende burra në BDI që e mbajnë fjalën? Alternativa kërkon të respektohet marrëveshja për bashkëqeverisje

TË FUNDIT

 “Pasha jetën, O mor pasha malet, O burri besës jo nuk lun’ o prej fjale!”

Me këtë këngë e nisi ditën sekretari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi. Këtë e bëri të ditur ai vetë nëpërmjet një statusi në Facebook. Ky mesazh “për peshën e fjalës së dhënë” si duket shkon për partnerët e koalicionit qeverisës të cilët duan ta prishin marrëveshjen me Alternativën, duke ia marrë një ministri për t’ia kaluar Aleancës për Shqiptarët. Kjo mund të kuptohet edhe nga deklarata e Ibrahimi për TV21, i cili thotë se shumica po zgjerohet për të shpëtuar karrierën e Artan Grubit.

“Arsyeja e vetme është se i mungojnë deputetë BDI-së dhe kjo i bie që për ta shpëtuar karrierën politike të Artan Grubit, po rritet shumica, në rregull e qartë është edhe kjo, por pse duhet të merret nga pjesa e Alternativës që të paguhet çmimi i karrierës së Artan Grubit? Të shqetësuar jemi vetëm për çështjen që thyhet, apo mund të thyhet, të jemi më të saktë në terma, një marrëveshje që e kemi pasur”, tha Zeqirija Ibrahimi – sekretar i AAA.

Përndryshe gjatë fundjavës Ibrahimi u takua me Izet Mexhitin, nga i ashtuquajturit “grupi i zjarrit. Takimin e kishte iniciuar vetë Ibrahimi ndërsa tha se folën për atë se ku janë në pozicionet e veta.

“Për shkak se u kemi besuar miqve tanë të Shqipërisë që na kanë thënë, futuni në këtë qeveri se Ali Ahmeti është burrë i cili e mban fjalën e nuk do të ju shkel në besë, që të funksionojë kjo qeveri, kështu ka qenë shpjegimi im edhe te Z. Mexhiti se a kemi akoma burra që e mbajnë fjalën dhe i rrinë në besë nënshkrimit që i kanë dhënë?”, tha Zeqirija Ibrahimi – sekretar i AAA.

A nënkupton ky takim mes Mexhitit dhe Ibrahimit edhe një bashkëpunim të mundshëm mes palëve? Ibrahimi thotë se këtë çështje nuk e vendos ai, por organet e partisë. Sipas tij fillimisht pritet që të konstatohet se nuk është mbajt fjala për marrëveshjen e bërë. Kërkuam qëndrim edhe nga nënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti mbi këtë takim, por i njëjti nuk u prononcua.

error: Content is protected !!