“I lus shqiptarët të na kuptojnë”, Dimitrievski: BE-ja duhej ta disiplinonte Bullgarinë

TË FUNDIT

Ky shtet është i përbashkët, të cilin duhet ta ndërtojmë bashkërisht, por kur bëhet fjalë për propozimin francez me të cilin u shkel dinjiteti ynë, bashkëqytetarët tanë shqiptarë duhet të na kuptojnë, sepse shumica e maqedonasve i thonë “JO” këtij propozimi. Këtë e tha kryetari i Kumanovës dhe ish-zyrtar i lartë i LSDM-së, Maksim Dimitrievski. Siç thekson ai, shqiptarët duhet ta kuptojnë këtë, sepse në të kaluarën edhe ata janë ballafaquar me probleme të ngjashme. Ky mesazh, para se gjithash, është për partitë politike shqiptare. Qytetarët ta kuptojnë problemin, u shpreh Dimitrievski.

“Për Kurban Bajram isha te një mik dhe folëm mbi këtë temë. E respektojmë njëri-tjetrin dhe ai më thotë – bir, unë jam shqiptar, ti je maqedonas, vendimi është juaj. E ke mbështetjen time çfarëdo që të vendosësh. Po të bëhej fjalë për gjuhën time, për identitetin tim, historinë time, do të haja bukë dhe kripë, por kurrë nuk do të shkoja atje. Pse? Unë mësova shumë nga ky njeri. Faleminderit Shefket, ja publikisht po të them”, deklaroi Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.

Dimitrievski thotë se BE-ja është dashur të luajë një rol më të madh në këtë punë, gjegjësisht ta disiplinojë Bullgarinë, sepse bllokadat nga ana e saj nuk bazohen në vlerat evropiane, por në mohimin e një populli të tërë dhe gjuhës dhe kundërshtimin e sovranitetit dhe identitetit të një shteti të pavarur.

“Unë nuk po flas për popullin bullgar, populli bullgar është krejtësisht diçka tjetër. Ai e krijon mendimin e tij duke u bazuar në atë që do të dëgjojë nga elita e tij politike. Por, mbështetësi më i madh në procesin e Marrëveshjes së Prespës ishte Borisovi. Dhe njëherë kur zgjidhëm Marrëveshjen e Prespës edhe kjo çështje duhej të mbyllej në pako, e jo të zvarritet. Sepse ata në fakt luajtën, siç do të thoshte populli – luajtën në mënyrë tipike “bullgare” dhe menjëherë filluan me bllokadë. Pse? Sepse është shumë e lehtë t’i kërcënoni dikujt që është më i dobët se ju. Pse? Sepse janë në BE, e ne nuk jemi”, pohoi Maksim Dimitrievski, kryetar i Kumanovës.

Dimitrievski thotë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të ndodhin, ata do të marrin pjesë si parti e pavarur me Lëvizjen “Për Kumanovën tonë”, e cila më me siguri do të riemërtohet p.sh. në Lëvizje “Për Maqedoninë tonë”. Ai shton se në 30 vitet e kaluara, dy partitë më të mëdha LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE kur kanë qenë në pushtet kanë dëshmuar se nuk duan t’i plotësojnë pritshmëritë e qytetarëve.