“Gjithçka u dogj brenda 2 minutave”, mjeku Tahiri dëshmon për tragjedinë në spitalin modular të Tetovës ku jetën humbën 14 persona

TË FUNDIT

Në seancën e sotme gjyqësore për rastin e djegies së spitalit modular në Tetovë ka dëshmuar mjeku Mustafa Tahiri, përcjell TV21. Ai ka qenë mjek në ndërrim, në natën e djegies së spitalit ku jetën humbën 14 persona.

Mjeku Tahiri thotë se zjarri ka nisur në dhomën me numër 3, ku ndihmë i kanë ofruar një pacienti me nevoja të veçanta. Sipas tij zjarri ka nisur në pjesën e sipërme të krevatit dhe në pjesën e murit. Tahiri thotë se fillimisht është larguar pacienti, më pas janë munduar që ta shuajnë zjarrin me një batanije dhe me një kove me ujë, pas çka zjarri ka vazhduar dhe në momentin që e kanë kuptuar se nuk kanë mundur ta shuajnë zjarrin, janë munduar që t’i largojnë të gjithë pacientët.

“Lirisht mund të them se gati gjithçka u dogj…në bazë të llogaritjeve të mia, brenda 2 minutave. Dhoma u dogj për 15 sekonda, spitali për 2 minuta, mendimi im, edhe të kishte aparate, por edhe zjarrfikësit në oborr të ishin, ai zjarr nuk mund të shuhej në asnjë mënyrë”, tha mes tjerash Tahiri i cili shtoi se nuk ka parë aparat kundër zjarrit as në dhomë, as në korridor.

Mjeku Tahiri thotë se në spital nuk ka parë familjar, përveç tek pacienti që sipas tij ishte me paralizë./tv21.tv

Ndryshe, ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vecevski, janë të akuzuar në këtë rast.

Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.

error: Content is protected !!