Freedom House: Maqedonia “regjim hibrid”! Qeveria arsyetohet: Raporti përfshin edhe periudhën e Gruevskit

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut mbetet në kategorinë “regjim hibrid”, sipas Raportit “Shtete në tranzicion” të cilin e përgatit “Freedom House”. Me notën 3,82 në shkallën ku demokracia më e mirë është 7, e më e keqja 1, vendi ynë nuk ka as përmirësim, e as përkeqësim në krahasim me vitin e kaluar. Nga viti 2004, katër demokraci ranë në këtë “zonë gri” – Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në po të njëjtën periudhë, tre regjime autoritare kanë shënuar përmirësim, me çka hynë në këtë kategori, e ato janë: Moldavia, Kosova dhe Armenia. E sipas zëdhënësit të Qeverisë, Dushko Arsovski, ky raport ka të bëjë me një periudhë më të gjatë, gjegjësisht përfshin edhe një pjesë të periudhës para vitit 2017, respektivisht para formimit të Qeverisë së udhëhequr nga LSDM-ja, kur, siç tha, të gjithë ishim dëshmitarë se kishim ngecje serioze në proceset politike, në dorëzimin e pushtetit dhe ballafaqimin me korrupsionin. Për këtë arsye jemi në kategorinë e regjimeve hibride, shton Arsovski.