Filipçe: Po bisedojmë të gjithë në rajon që në një moment t’i hapim kufijtë me politikë të përbashkët sa i përket testeve PCR

TË FUNDIT

Po bisedojmë të gjithë në rajon që në një moment t’i hapim kufijtë me një politikë të përbashkët sa i përket testeve PCR. Ideja është që të hapen kufijtë pa teste PCR, theksoi sot ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në lidhje me atë se a do të munden të dalin qytetarët e Maqedonisë jashtë kufijve.

“Vendet anëtare të BE-së kanë vetëm rekomandim, nuk kanë politikë të përgjithshme të BE-së për këtë çështje dhe në këtë kuptim kanë liri që të vendosin se si do të jetë regjimi i kufijve. Është e saktë se paralajmëruam në disa raste në javët e kaluara se do të kemi ndonjë vendim, por për fat të keq e pritëm përgjigjen nga vendet fqinje. Përfundimisht u përgjigjën gjatë javës së kaluar, filloi të funksionojë sistemi i koordinimit, i cili tani mbështetet nga Ambasada amerikane në Shkup. Sinqerisht shpresoj se definitivisht do të shkëmbehen të gjitha informacionet dhe në bazë të asaj se çka nënkupton situatë e saktë epidemiologjike në secilën nga vendet e Ballkanit Perëndimor plus Bullgaria dhe Greqia do të marrin qëndrim të përbashkët. Komunikimi bazohet në atë se masat parandaluese duhet të respektohen”, tha Filipçe, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas ngjarjes së Shoqatës “Luftë – për çdo ditë të re” me rastin e fushatës për luftë kundër kancerit në gji “Race for the cure“.

Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme kulturore “Nata e Bardhë” theksoi se informacionet e tyre janë se masat janë respektuar në kuadër të organizimit, domethënë mysafirët ishin ulur sipas rekomandimeve karriget ishin në distancë adekuate, por masat nuk ishin respektuar jashtë hapësirës së organizuar.

“Në atë kuptim paralajmëruam në ditët paraprake se do të ndërmarrim edhe masa restriktive shtesë, ndërsa njëra prej tyre është ndalesë e plotë për ngjarje, nëse shohim se vazhdon kjo. Shumë vende në botë i anulojnë ngjarjet dhe koncertet për gjithë vitin 2021, duke u frikuar nga mosrespektimi i masave. Intensivisht do të ndjekim dhe do të shohim se çka do të ndërmarrim”, shtoi Filipçe.