Ferizaj bënë shpërndarjen e 110 lopëve

Drejtoria e Bujqësisë në Ferizaj, ka bërë sot shpërndarjen e 110 lopëve qumështore të racës simental.
Isak Sejdiu nga fshati Papaz ka përfituar këtë të shtunë edhe tri krerë lopë simentale. Ai shprehet tejet i kënaqur që ka përfituar kësaj here.
“Falënderoj komunën dhe Drejtorinë e Bujqësisë që më ofroi këtë mundësi dhe përfitova edhe këto lopë. Në të ardhmen planifikoj që të bëj zgjerimin e kësaj veprimtarie“, është shprehur Sejdiu.
Edhe Naim Vrella nga fshati Talinovc është shprehur tejet i kënaqur që ka përfituar nga donacioni me lopë qumështore.
“Jam tejet i kënaqur, sepse e gjithë familja varemi prej kësaj pune”, ka thënë Vrella.
Ndërkaq drejtori i Bujqësisë në Ferizaj, Xhemajl Reçica, ka thënë se projekti i shpërndarjes së lopëve është qysh nga viti i kaluar dhe ka vazhduar edhe këtë vit.
“Kriteret për përfitim të lopëve kanë qenë që së paku një familje t’i ketë dy krerë lopë dhe një objekt prej 50 metrave katrorë . Ne jemi munduar që përmes kësaj forme të bëjmë edhe zbutjen e papunësisë për këto familje”, ka thënë drejtori Reçica, duke shtuar se këto lopë janë të moshës ndërmjet 16 e 25 muaj.
“Janë lopë gravide që janë në muajin e pestë apo në të shtatin, ashtu siç i kemi paraparë dhe janë me prejardhje nga Çekia”, tha Reqica.
Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 110 mijë euro, ku me 40 mijë euro kanë participuar edhe vet përfituesit e këtyre lopëve.