Një fenomen gjeologjik jashtëzakonisht i pazakontë u regjistrua të mërkurën në Tajvanin jugor, duke i lënë banorët dhe kalimtarët të shtangur. Vullkani i baltës Wandan filloi të shpërthente papritur në mes të një rruge, duke nxjerrë baltë dhe flakë deri në dy metra të larta.
Në një video që qarkullon në mediat sociale, banorët e zonës qëndrojnë në një distancë të sigurt duke parë të habitur baltën që shpërthen nga toka, e shoqëruar nga një zhurmë e fortë dhe shpërthime të vogla. Autoritetet lokale nxituan të bllokonin zonën për shkak të rrezikut të mundshëm.
Vullkani i baltës Wandan ka shpërthyer 11 herë në tre vjet, një fakt që i ka shqetësuar ekspertët. Kjo frekuencë konsiderohet e lartë dhe tregon se sistemi nëntokësor i gazit është në një fazë veçanërisht aktive.
Autoritetet po vazhdojnë të monitorojnë zonën, ndërsa gjeologët studiojnë fenomenin duke u përpjekur të kuptojnë shkaqet e aktivitetit intensiv. Një vullkan balte është një fenomen gjeologjik i krijuar nga shpërthimi i baltës ose llumit, ujit dhe gazrave. Procese të ndryshme gjeologjike mund të shkaktojnë formimin e vullkaneve të baltës.
Vullkanet e baltës nuk janë vullkane vërtet magmatike, pasi ato nuk prodhojnë lavë dhe nuk shkaktohen domosdoshmërisht nga aktiviteti magmatik. Vullkanet e baltës mund të variojnë në madhësi nga më pak se një metër i lartë dhe një ose dy metra në diametër, deri në 700 metra të lartë dhe 10 kilometra të gjerë.
Balta e prodhuar nga vullkanet e baltës formohet kryesisht kur uji i nxehtë, i cili është ngrohur thellë nën sipërfaqen e Tokës, fillon të përzihet dhe të bashkohet me depozitat minerale nëntokësore, duke krijuar kështu shpërthimin e baltës.
