Edhe nëse kontestohet ligji për Korridorin 8 dhe 10, sërish Qeveria do t’i ndërtojë autostradat

TË FUNDIT

„Nuk do të doja t’i komentoj këto paralajmërime, por sigurisht, çdo institucion ka përgjegjësi, ingerenca të punojë në shtet dhe ne nuk do t’i komentonim ingerencat dhe përgjegjësitë e tyre”.

Kështu i është përgjigjur Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoja Boçvarski.

Ai ka shtuar, se edhe nëse Antikorrupsioni vendos ta kontestojë Ligjin për ndërtimin e autostradave të Korridorit 8 dhe 10 në Gjykatën Kushtetuese, sërish Qeveria ka disa variante se do t’i realizojë projektet në fjalë.

“Korrigjuesi i Kuvendit sigurisht mund të jetë Gjykata Kushtetuese kur do të ketë iniciativë që të vendosë nëse një ligj i caktuar që është miratuar, i përmban elementet për çfarë do të kontestohej ose jo. Kështu që, në këtë aspekt as nuk do të doja dhe nuk kam të drejtë të hyj në punën e Kuvendit dhe në punën e Gjykatës Kushtetuese, për shkak se të gjithë kanë ingerencat e tyre. Ne si qeveri, kemi paralajmëruar edhe më herët se kemi përgatitur disa variante sa i takon fillimit dhe ndërtimit të Korridorit 8 dhe Korridorit 10D, me çka prioritet i yni dhe qëllimi përfundimtar është të kemi rrugë moderne dhe të sigurta. Se në bazë të cilit parim dhe në çfarë mënyre do të ndërtohen ato, është punë e Kuvendit, Qeverisë, Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore”, tha Boçvarski, transmeton TV21.

Ligji special i cili u miratua në Kuvend, me të cilin mundësohet që blerjet për ndërtimet e korridoreve 8 dhe 10 të bëhen pa tender, ngjalli reagime. Me këtë, pushteti do të lidhë marrëveshje me kompaninë Behtel & Enka, pa shpallur tenderë. Komisioni antikorrupsion mendon se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën, andaj  paralajmërojnë se do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ta kontestojë të njëjtin.

Ligji parasheh nominim të partnerit strategjik për implementimin e ndërtimit të korridorit infrastrukturor 8, pjesa Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradë Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë si dhe korridorit 10D si pjesa Prilep – Manastir në Maqedoninë e Veriut.