​OEAK i kërkon Qeverisë finalizimin e pakos fiskale

Përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës përkatësisht Ministrisë së Financave që ti finalizojnë të gjitha elementet e pakos fiskale, kështu duke kërkuar që krahas ligjeve të reja të hyjnë në fuqi edhe masat e reja fiskale.
“Pas miratimit të ligjeve të reja që rregullojnë fushën tatimore në Republikën e Kosovës si dhe duke pasur parasysh që dispozitat e reja të këtyre ligjeve tatimore janë paraparë të hyjnë në fuqi më 1 shtator 2015, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bënë thirrje Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që në të njëjtën kohë të finalizojnë të gjitha elementet e pakos fiskale, ashtu që krahas ligjeve të reja të hyjnë në fuqi edhe masat e reja fiskale”, thuhet në njoftimin e odës amerikane.
Oda Amerikane, beson që pakoja e re fiskale vërtetë të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të reja, fuqizimin e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, “Oda Amerikane beson që ditët në vijim duhet të shfrytëzohen për kompletimin e kornizës lehtësuese ligjore.
Në këtë drejtim Oda Amerikane kërkon nga Qeveria e vendit që në përputhje me Ligjin për Mallrat e Liruara nga Detyrimet Doganore të bëjë zgjerimin e listës së produkteve të liruara nga detyrimet doganore, më konkretisht të lëndëve të para që nuk prodhohen në vend e të cilat gjejnë përdorim në proceset e prodhimit dhe përpunimit”, thuhet në komunikatën e odës amerikane.
Në të njëjtën kohë, Oda Amerikane kërkon që në përputhje me ligjet e reja tatimore, Ministria e Financave të hartojë sa më shpejtë të jetë e mundur aktet e reja nënligjore që do të mundësonin hyrjen në fuqi të pushimeve tatimore, si instrument i rëndësishëm për nxitjen e investimeve të reja – të huaja apo të brendshme.
Ofrimi i lehtësirave gjithëpërfshirëse fiskale, përfshirë këtu edhe aplikimin e pushimeve tatimore do t’i mundësonte vendit që të përmirësojë përparësitë e tij konkurruese në nivel të shteteve të tjera të rajonit dhe të rrisë atraktivitetin e tij si një destinacion i rëndësishëm për investitorët e huaj.