​Italia i kërkon BE-së mbështetje financiare për emigrantët

Italia i kërkon Bashkimit Evropian një mbështetje financiare më të madhe për të rritur operacionet e ndihmës për emigrantët në Mesdhe dhe një përgjigje të qartë për shtetet ku emigrantët do të dërgohen pasi janë shpëtuar, deklaroi shefi i diplomacisë italiane, Paolo Gentiloni.
“Mbikëqyrja dhe operacionet e shpëtimit në det do të peshonin më tepër në supet tona nëse ne nuk do të kemi ende një përgjigje të qartë nga Bashkimi Evropian”, theksoi sot ministri për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.
“Dhe më pas ka një tjetër problem shumë delikat. Ku duhet të dërgohen personat e shpëtuar? Në portin më të afërt? Në vendin e ardhjes së anijes që i ka rigjetur? Për të gjitha këto pyetje BE-ja duhet të përgjigjet me qartësi”, theksoi ai.
Organizatat humanitare kanë denoncuar autoritetet evropiane për pakujdesinë e treguar ndaj mbytjes së emigranteve në Mesdhe, pas zhdukjes në det rreth 400 prej tyre të dielën, pavarësisht kërkimeve të rojave bregdetare italiane.
“Amnesty International” vuri në dukje se duke kërkuar ndalimin e operacionit të shpëtimit “Mare Nostrum”, që ka shpëtuar deri tani 17 000 jetë, dhe zëvendësimin e tij me operacionin ”Triton”, një mision monitorues, BE-ja u kthen shpinën përgjegjësive të saj dhe kërcënon në këtë mënyrë mijëra jetë.