Dyfishohet çmimi i peletave nga 200 në 400 denarë për thes/ Bekteshi: Kurseni rrymën! Nuredini: Ngrohja me dru ndot ambientin

TË FUNDIT

Kriza energjetike dhe shtrenjtimi i materialeve të përpunimit të peletave ka bërë që një thes me peleta të dyfishohet edhe atë 380 deri 400 denarë.

Përveç që çmimi është dyfishuar, peleta shumë rrallë mund të gjesh në Kërçovë.

TV21 vizitoi një kompani e cila prodhon peleta dhe mbulon këtë rajon.

 “Një thes me peleta si ky që është afër meje për momentin kushton 380 deri në 400 denarë, nëntë muaj më parë ose në janar të këtij viti ky thes me peleta ka kushtuar vetëm 190 denarë, dmth përveç drurit, energjisë elektrike janë shtrenjtuar edhe peletat”

Një familje 4 anëtarëshe për tu ngrohur me peleta në 24 orë më së paku i duhen tre thasë, që i bie 1200 denarë në ditë.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi apelon që qytetarët të kursejnë energjinë elektrike, që të mos vijnë fatura energjetike marramendëse siç kanë filluar tanimë.

 “Në këtë kohë krize energjetike, të kursejmë sa më shumë që të jetë e mundur”- tha Kreshnik Bekteshi-Ministër I Ekonomisë.

Nga ana tjetër ministri Ambientit Jetësorë Naser Nuredini, apelon deri te qytetarët që të mos ngrohen me dru për shkak se ndotet ambienti.

“Besoj se qytetarët tonë janë të vetëdijshëm se çdo ndotje ne vetë e bëjmë, d.m.th. ne ndotim rrethin tonë së pari anëtarët e familjes tonë dhe duhet të kemi kujdes, sërish është më lirë mënyra e ngrohjes me energji elektrike”- tha Naser Nuredini-ministër i Ambientit Jetësor.

Për qytetarët më i leverdishëm për ngrohje duket druri, e kjo si duket nga droja se mund të mos ketë energji elektrike të mjaftueshme për tu ngrohur.

 “Nuk e dimë, do të shohim, deri më tani jemi ngrohur me dru”

 “Me dru”

 “Deri sa është druri i butë, atëherë ka ndotje, tymosja është më tepër, ndërsa kur është i thatë del tym i pastër, tym i thatë del dhe nuk ka ndotje të ajrit”

Nga 1 shtatori kanë filluar edhe restrikcionet për institucionet shtetërore për kursim të energjisë elektrike, ndërkaq autoritetet kanë paralajmëruar prej kohësh se për shkak të krizës energjetike na pret një dimër i vështirë.