Dy agjenci publike mbeten pa energji elektrike, MPB: Bëhet fjalë për vjedhje në transformator! EVN: S’dihet se kur do të riparohet

TË FUNDIT

Ndërtesa e Agjencisë për Mbështetje Financiare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe ndërtesa e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari prej sot në mëngjes janë pa rrymë elektrike, si rrjedhojë punëtorët administrativ sot nuk kanë punuar, përcjell TV21. Nga EVN-Maqedoni thonë se ndërprerje ka pasur e gjithë rruga “Brigada e III Maqedonase” në Aerodrom të Shkupit.

“Konsumatorë të rajonit në rr. “Treta Makedonska Brigada” në Shkup, sot paraqitën ndërprerje të furnizimit me energji elektrike. Ekipet e Elektrodistribuimit paralelisht me MPB menjëherë dolën në terren, ndërsa gjatë kontrollit të transformatorit janë vërejtur shenja të vjedhjes. Për procedurat e mëtejme janë kompetente organet shtetërore. Transformatori është në pronësi private, që në këtë rast nënkupton se nuk varet nga Elektrodistribuimi se kur i njëjti sërish do të vihet në funksion”, thonë nga EVN-Maqedoni.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfimrojnë se bëhet fjalë për vjedhje në transformator, që ka shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike.

“Me datë 06.10.2022, në SPB-Shkup është raportuar se janë marrë pjesë bakri nga një transformator në një objekt afarist në Blv.”Brigada e III Maqedonase”. Policia ka kryer kontroll dhe po merren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB./tv21.tv

error: Content is protected !!