DEPUTETI I CDU-së PËR TV21: S’MUND TË VOTOJMË PËR HAPJE TË NEGOCIATAVE NË QERSHOR

Bundestagu gjerman e ka të drejtën të vendosë nëse do të fillojnë negociatat me një shtet aplikant, por grupi i CDU/CSU-së në parlamentin gjerman nuk do të votojë që Maqeodina e Veriut në qershor të marrë datë për hapje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo me shumë gjasa do të ndodhë në tetor. Këtë për TV21 e konfirmon Johan Vadeful, zëvendëskryetari i këtij grupit parlamentar që është përgjegjës për politikat e jashtme dhe ato të sigurisë gjermane.

Siç shpjegon Vadefuli, në vend se progres raportin e BE-së ta marrin në mes të prillit, kësaj here do ta pranojnë më 29 maj, gjë që u lë pak kohë për shqyrtim. Bundestagu do të duhet që më 3 qershor me shkrim t’i tregojë pozicionet e tij, thotë Vadeful, që pastaj më 7 qershor të mund të merr vendim në seancën plenare, gjë që do t’u mundësonte Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe atyre Evropianë të marrin vendimin e tyre më 18 qershor.

“Kjo është kohë shumë e shkurtër për grupin e partisë sime që të marrë vendim kaq shumë të rëndësishëm për një çështje kaq të rëndësishme. Prandaj ne votën tonë do ta japim vetëm më 26/27 shtator. Më tej krerët e shteteve të BE-së do të vendosin për nisje të negociatave aderuese më 17-18 tetor. Supozoj se Maqedonia e Veriut do të shkojë përpara. Siç u dakordua në qershorin e kaluar, Këshilli Evropian do të vendosë në dhjetor për hapjen e kapitujve të parë, kapitujt 23 dhe 24. Kjo do të ishte fillimi konkret i negociatave” tha për TV21 deputeti kristiandemokrat, Johan Vadeful.

I pyetur nëse mendon se Franca dhe Holanda do të jenë pengesë në marrjen e datës, zëvendëskryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së thotë se nga ato që ka dëgjuar, “edhe Franca gjithashtu nuk dëshiron të vendosë për nisje të negociatave aderuese në qershor por vetëm në mes të tetorit”.

Jo më larg se dje, partneri i koalicioni qeverisës, Ali Ahmeti, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për pesimizmin për marrje të datës, u përgjigj se “nëse kjo nuk ndodh në qershor do të ndodhë në shtator”, deklaratë kjo që përputhet me atë të deputetit gjerman.

Ishte pikërisht deputeti Johan Vadeful të cilin më 10 prill e takuan zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe Ministri për Punë të Jashtme Nikolla Dimitrov, ndërsa ky i fundit e brifoi grupin e deputetëve për politikë të jashtme të CDU/CSU-s. Osmani e Dimitrov gjatë qëndrimit të tyre dyditor në Berlin takuan përfaqësues e deputetë të Bundestagut të cilëve u folën për rezultatet e vendit në reforma dhe fqinjësi të mirë si formulë për hapjen e negociatave aderuese për në BE.

Me t’u kthyer në Shkup, Osmani në një emision televiziv deklaroi se “pritjet ose kalendari optimist është që në qershor të merret vendimi, t’i jepet mandati Komisionit Evropian për të përgatitur kornizën negociuese, që pastaj në dhjetor të kemi mbledhjen e përbashkët ndërqeveritare ku edhe zyrtarisht fillojnë bisedimet”.

Përgatiti: Besir Arifi