Qeveria amerikane ka përcaktuar katër grupe antifashiste evropiane si organizata terroriste, në kuadër të ofensivës së presidentit Trump ndaj së majtës ekstreme, pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio deklaroi të enjten se Uashingtoni do të etiketojë si të tilla grupin gjerman Antifa Ost, atë italian Fronti Revolucionar dhe dy grupe të tjera në Greqi, Drejtësia Proletare e Armatosur dhe Klasa Revolucionare e Vetëmbrojtjes.
“Grupe të rreshtuara pranë këtyre lëvizjeve favorizojnë ideologjitë anarkiste ose marksiste, përfshirë anti-amerikanizmin, anti-kapitalizmin dhe anti-krishtërimin, duke i përdorur ato për të justifikuar sulme si brenda edhe jashtë shteteve përkatëse”, deklaroi Rubio.
Ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të gjitha mjetet për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe atë publike dhe do të pengojë rrugët e financimit të terroristëve, duke vënë në shënjestër grupe të tjera antifashiste në mbarë globin.
Grupet në fjalë akuzohen se “komplotojnë për të minuar themelet e qytetërimit perëndimor, përmes sulmeve brutale”, thuhet në një komunikatë të Departamentit të Shtetit.
Antifa është shkurtimi i termit “antifashist”, një kornizë që përfshin aktivistë apo grupe të spektrit politik të së majtës ekstreme.
