“Daja dhe xhaxhai vinin në iftar të paftuar, me vete merrnin edhe bukë”! Ismaili thotë se iftaret janë materializuar

TË FUNDIT

Në emisionin “Pastel” ka qenë mysafir hoxhë Qenan Ismaili, kryetar i Myftinisë së Shkupit.

Foli për rëndësinë e agjërimit dhe rolin e familjes në muajin e Ramazanit.

I pyetur se a ka pësuar ndryshime muaji i shenjtë islamik, Ismaili tha se Ramazani nuk ka qenë siç ka qenë në të kaluarën.

Kujtoi se iftaret – vakti i mbrëmjes ku përfundon agjërimi i ditës për të filluar në syfyr, janë një moment i afrimit të familjarëve, por që në të kaluarën janë organizuar më ndryshe.

“Si fëmijë kur kam qenë, e mbaj mend se ne për iftare nuk kemi bërë ftesa, as nuk na ka ftuar askush. E mbaj mend, axha dhe daja im kur vinin në iftar, vinin të paftuar sepse e dinin se tryeza, sofra është e hapur për të gjithë. E mbaj mend si sot, me vete e merrnin një bukë që mos ta ngushtojë nikoqirin dhe vinte e hante iftarin. Do të thotë, aspekti i afërsisë familjare ka qenë i më lartë se sa sot. Sot, ne edhe iftaret i kemi materializuar, i kemi zyrtarizuar me numra të caktuar. Do të vini 5 vetë, do të vini 10 vetë… Pa ftesë nuk mund të shkosh askund. Do ta hash iftarin në familje apo do të dalësh ndokund… Kënaqësia ka qenë më e madhe kur ne e kemi bërë iftarin brenda në familje, se sa kur shkojmë në ndonjë restorant, se kush po e bën iftarin në restorant më të shtrenjtë, dhe kush po e zgjedh menynë më të shtrenjtë”, tha mes tjerash Ismaili.