Çdo gjë gati për “Zambakun e Prizrenit"

“Jemi munduar që të zgjerohemi që ta hapim pakëz festivalin e jo vetëm në formën e muzikës së lehtë qytetare, do mundohemi të bëjmë disa përzgjedhje të ndryshme pra të kemi edhe disa cilësi të muzikës popullore e jo vetëm të lehtë qytetare apo serenata”, ka thënë për KultPlus, Valton Beqiri.
Edicioni i 27-të i “Zambakut të Prizrenit” sivjet kishte një konkurrencë të madhe të këngëve që aplikuan nga të gjitha viset shqiptare. Kanë mbetur edhe dy ditë deri tek ky festival i cili këtë vit sipas organizatorëve është mobilizuar më shumë se viteve të tjera. Sot ishte dita e fundit e mbajtjes së provave në Prishtinë, ku redaksia e KultPlus-it, ishte ti shihte nga afër se si po shkojnë ato. Këngë të ndryshme të lehta qytetare u interpretuan në këtë provë, e po ashtu edicioni i sivjetmë i këtij festivali do të na sjellë edhe këngë popullore. Një gjë të tillë e tha vetë për KultPlus, drejtori artistik i festivali, Valton Beqiri i cili theksoi se tanimë janë gati që festivali i sivjetmë të shkojë ashtu siç duhet.
Sivjet do të jenë në konkurrencë gjithsej 16 këngë ku do të ketë kompozitor si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia.