Pesë avionë të zhvilluar dhe prodhuar nga vetë Kina dhanë “shfaqjen grupore” të parë jashtë vendit, në Ekspozitën e Aviacionit të Singaporit, që u hap të martën në Qendrën e Ekspozitave “Changi”.
Kuinteti përbëhet nga dy “C919”, avioni i parë i madh i udhëtarëve i zhvilluar e prodhuar nga Kina, dhe tre avionë udhëtarësh “ARJ21”, që janë të hapur për publikun në ekspozitën e modeleve, ekspozitën e jashtme statike dhe në shfaqjet e fluturimit gjatë veprimtarisë që do të zgjatë deri të dielën.
“C919”, i krijuar nga Korporata e Avionëve Komercialë e Kinës (COMAC), është një avion me dy motorë, me trup të ngushtë me 158 deri 192 vende dhe me një rreze fluturimi 4 075 deri 5 555 kilometra. Ai ka nivel të përparuar të dizenjimit aerodinamik, sistemeve të shtytjes e materialeve, shkarkim më të ulët karboni dhe efektivitet më të lartë karburanti.
Avioni i parë “C919” e bëri fluturimin e tij komercial midis Shangait të Kinës Lindore dhe kryeqytetit Pekin më 28 maj 2023. Aktualisht, katër “C919” janë vënë në funksionim, duke u shërbyer mbi 110 mijë udhëtarëve.
Avioni rajonal “ARJ21” mund të transportojë 78 deri 97 udhëtarë me një rreze fluturimi prej 2 225 deri 3 700 kilometrash. Ai spikat në ngritjet dhe zbritjet në mjedis me temperaturë të lartë dhe në aeroportet me lartësi të madhe mbi nivelin e detit, dhe ka aftësi të madhe përballuese ndaj erës. Gjithsej 127 avionë “ARJ21” janë dorëzuar që nga vënia në funksionim komercial në qershor 2016, duke transportuar në mënyrë të sigurt më shumë se 11 milionë udhëtarë.
Bienalja e avionëve e Singaporit ka tërhequr mbi 1 000 kompani nga më shumë se 50 vende dhe rajone.
Po të martën, u finalizuan porositë e reja për “C919” dhe “ARJ21” midis dy kompanive kineze të shërbimeve ajrore dhe COMAC-ut.
“Tibet Airlines” porositi 40 “C919” të variantit për lartësi të madhe dhe 10 “ARJ21” të të njëjtit variant. Ndërsa Grupi i Zhvillimit dhe Investimeve i Aviacionit Civil i Henan-it nënshkroi një porosi për gjashtë variante “ARJ21”, përkatësisht për shuarje zjarri, shërbim mjekësor dhe komandën e shpëtimit emergjent.
Versioni “C919” për lartësi të madhe është përshtatje e modelit bazë, duke shkurtuar trupin dhe duke bërë modifikime në përshtatje me transportin në rrafshnaltë. Ai ka 140 deri 160 vende dhe aftësi ngritjeje e zbritjeje në të gjitha aeroportet në lartësi të madhe në Kinë.