Borelli i zhgënjyer me punën në Ballkanin Perëndimor/ Mishel: Rajoni është me prioritet, do të fusim energji të reja në proces

TË FUNDIT

E pas kësaj, në Bruksel u anulua konferenca për media e liderëve të BE-së e cila duhej të mbahej pas Samitit. Aty duhej të flisnin presidenti francez, Emanuel Makron, si shtet kryesues aktual me BE-në, kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishell, si dhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen. Megjithatë, para fillimit të Samitit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borel shprehu zhgënjimin e tij me punën e bërë në Ballkanin Perëndimor. Madje Borell foli edhe për gjetjen e ndonjë forme të re të vendimmarrjes në BE, për shkak se nuk mund të vazhdohet që një shtet i vetëm të bllokojë, si në rastin e Bullgarisë. Para Samitit foli edhe Kryetari i Këshillit, Sharl Mishel, i cili tha se duhet energji e re për procesin eurointegrues ndaj Ballkanit Perëndimor.

 “Është moment i rëndësishëm sepse është edhe vullneti i Ballkanit Perëndimor t’i japim energji procesit të Ballkanit Perëndimor, për të përçuar mesazh të qartë dhe të fortë. Sigurisht që ende ka bisedime në Bullgari. E ndjekim situatën nga afër. Jemi të përfshirë me kryesimin francez, që ta vëmë propozimin në tavolinë që të mund sa më parë të nisim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Janë prioritetet tona më të larta dhe bëjmë gjithçka për të arritur në kohë për këtë çështje të rëndësishme”- deklaroi Sharl Mishel, Kryetar I Këshillit Evropian.

“Nuk jemi aty ku duhej të ishim me Ballkanin Perëndimor. Sot duhet të nisnim bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund ta fsheh zhgënjimin. Zhgënjimi im është zhgënjim i shumë njerëzve. Duhet të nisim… ka ende shpresë, nuk e di se çfarë mund të bëjë Kuvendi bullgar në orët në vijim por punët nuk po shkojnë mirë dhe ne duhet të provojmë ta rregullojmë këtë. Kjo tregon edhe njëherë se unanimiteti është problem i madh për të marrë vendime, andaj duhet ta mendojmë se si të marrim vendime në BE sepse nuk mund të vazhdojmë që një shtet i vetëm të bllokojë për muaj të tërë”- pohoi Josep Borrell, Përfaqëseues i Lartë i Be-Së Për Politikë Të Jashtme Dhe Siguri.