“Baba Uslender”, një fenomen shqiptar në muzikën zvicerane

Në këngët e tij ka kundërshtim, njëfarë fryme rebelimi kundër diskriminimit, padrejtësive që, siç pretendon ai, u nënshtrohen të huajt në Zvicër.
“Baba Uslender” është një emër shumë famoz në Zvicër. Atë e mban reperi shqiptaro-zviceran, emri i vërtetë i të cilit njihet nga pakkush, Granit Dervishaj. Po prej nga na doli llagapi “Baba Uslender”?
“Duke bërë shaka me kushëririn në shtëpinë familjare në Kosovë,na lindi ky emër. Prej atëherë njihem si “Baba Uslender”, thotë Graniti. Ai, ndryshe nga paraqitjet e tij në skenë dhe në video, në jetën reale nuk duket aspak prepotent ose arrogant: është një djalë i qetë dhe fjalëpak. Madje shumë fjalëpak do të thoshim nga përvoja e takimit të albinfo.ch me të, raporton albinfo.ch.
Në këngët e tij ka kundërshtim, njëfarë fryme rebelimi kundër diskriminimit, padrejtësive që, siç pretendon ai, u nënshtrohen të huajt në Zvicër. Por prej nga ky fiksim me diskriminimin?
“Në Lucern ku jetoj unë kam përshtypjen se të huajt, edhe shqiptarët, janë më të diskriminuar, kanë një trajtim jo të mirë”, thotë “Baba Uslenderi”, i cili duket se preokupohet shumë me këtë problem dhe me probleme tjera shoqërore në Zvicër.