Arti në hapësirat publike

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj.Saranda Bogujevci morri pjesë në vendosjen e skulpturës në formë të nallës, në parkun e qytetit.
“Është pjesë e projekteve që kemi në plan në kuadër të projektit “Arti në hapësirat publike”. Vendosja e kësaj skulpture në forme të nallës është vetëm fillimi i realizimit të këtyre projekteve. Konsiderojmë se është shumë e rëndësishme që të kemi vepra të artit brenda hapësirave publike, të cilat në të njëjtën kohë do të kenë edhe një funksion tjetër, si p.sh në rastin e nallës kur fëmijët dhe qytetarët do të mund ta shfrytëzojnë atë për të pushuar ose për t’u argëtuar”, tha znj.Bogujevci, e cila tha se edhe në të ardhmen do të realizohen projekte të ngjashme në hapësira të ndryshme të kryeqytetit.
art2
Ndërsa Burim Canolli, autor i kësaj vepre arti tha se motivim për realizimin e saj kanë qenë elementet tradicionale, ndërsa e ka përshtatur që të shërbejë edhe si argëtim për fëmijët, mirëpo edhe si ulëse për vizitorët e parkut.
Në anën tjetër znj.Lila Skaraveli, menaxhere e projektit “Culture For All”, tha se ndihet e kënaqur për realizimin e këtij projekti dhe se qytetarët, vecanërisht fëmijët, do të mund ta shfrytëzojnë atë. Ajo tha se vepra të ngjashme arti do të vendosen edhe në qytete të tjera të Kosovës.
Skulptura e nallës u realizua në kuadër të projektit “Culture For All” dhe u mbështet nga zyra e BE – së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.