Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e ftuar në emisionin “Click Plus” në TV21 tha se çdo gjë që ka thënë për Mickoskin i qëndron, duke mos i hequr asnjë presje. Ajo shtoi se nuk ia ka frikën askujt dhe se momentalisht po fokusohet në realizimin e programit që ajo ka shpalosur para qytetarëve.
“Mendoj se gjithçka që kam thënë u qëndroj pas atyre fjalëve, por më e rëndësishmja është të fokusohemi në realizimin e projekteve që kemi premtuar t’i realizojmë për të mirën e qytetarëve. Ajo që bëjnë individët duhet t’i shërbejë nderit të tyre dhe nuk mendoj se duhet të mendoj më për të gjitha ato gjëra. Përgjegjësia do të vijë aty ku i takon, dhe ajo që më pyete se kush është pas meje dhe nëse jam e sigurt, jam shumë e sigurt sepse e di se çfarë po bëj, besoj në qëllimet e mia të sinqerta. Kemi parë një numër të madh drejtorësh, të cilët, sikur me shtypjen e një butoni, praktikisht në mënyrë servile filluan të japin dorëheqje, gjë që tregoi dhe dëshmoi se interesat e qytetarëve nuk ishin asnjëherë prioriteti i tyre”, tha Arsovska.