Apple heq dorë nga iPhone 6C

Apple pati planifikuar të krijojë një version të ri të iPhone 6 me ekran 4 inç. Këtë njoftim e ka bërë Timothy Arcuri, një analist i “Cowen and Company”. Nga informacionet e mbledhura nga burime të brendshme të kompanisë si dhe furnizues të saj, analisti doli në përfundimin se Apple do të prodhojë një version të iPhone 5c që duket si iPhone 6.
Ai do të ketë të njëjtin dizajn dhe elementë të brendshëm si iPhone 6, por do të vijë me ekran 4 inç, ashtu si iPhone-t e mëparshëm të Apple-it. Ideja ishte që të ofronte një version më të lirë të iPhone-it më të dëshiruar nga njerëzit deri tani. Arcuri shprehet se ka pasur dëshmi të ekzistencës së një versioni më të vogël të iPhone 6, të cilit i referohet si iPhone 6C, nga një furnizues i Apple-it nga muaji janar deri në mars.
Por tani janë zhdukur të gjitha dëshmitë. Sipas Arcurit, Apple ka vendosur që të heqë dorë nga krijimi i këtij telefoni inteligjent. “Mendoj se një nga arsyet kryesore është sepse iPhone 6 është shitur shumë mirë, prandaj nuk ka nevojë për një telefon me çmim më të ulët. Do të ishte kundër logjikës së biznesit.” shpjegon Arcuri.
Duhet të theksojmë se edhe pse nuk kemi dëshmi nga furnizuesi kryesor, nuk do të thotë se Apple nuk do të realizojë një version më të vogël të iPhone 6. Analistët e “Jefferies”, për shembull, vazhdojnë të mendojnë që do të ketë një iPhone 6C me ekran 4-inç që do të hidhet në treg në vitin 2016.