Anëtarë të BDI-së akuzojnë se në parti nuk ka debat dhe vendimmarja politike është bërë individuale

TË FUNDIT

Anëtarë të BDI-së në kumtesën dërguar opinionit akuzojnë se në parti për gati dy vjet nuk ekzistojnë dhe nuk formohen organet statutare partiake dhe se vendimmarrja politike, siç thonë ata, “është bërë individuale”.

Në letrën e nënshkruar nga rreth 20 anëtarë mes tyre edhe Izet Mexhiti, Musa Xhaferi, Visar Ganiu, Nevzat Bejta, Blerim Bexheti, ndërsa e dërguar përmes adresës elektronike të Komunës së Çairit, kërkohet debat brendapartiak për tejkalimin e situatës dhe ftojnë kryetarin e partisë, Ali Ahmeti të shfrytëzojë autoritetin e vet politik dhe statutar për gjetjen e një zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak.

“Në BDI gati për dy vite nuk ekzistojnë dhe nuk themelohen organet statutare partiake. Si pasojë e kësaj, vendimmarrja politike është bërë pronë individuale. Nuk ka debat dhe konsultime me bazat partiake. Zgjedhjet kadrovike janë shndërruar në privilegje të individit Artan Grubi!”, thuhet mes tjerash në letër.

Nënshkruesit theksojnë se BDI nuk është thjeshtë një parti politike, por është vlerë e cila 18 vite ka ruajtur dhe avancuar të drejtat e shqiptarëve, një familje e hapur dhe me konsultime brenda për brenda, pa privilegje individuale me organe statutare dhe me rritje të vazhdueshme të trupit elektoral.

“Si të tillë duhet patjetër ta kthejmë aty ku e ka vendin”, thuhet në letër.

error: Content is protected !!