“ALMIRI”, GJYKATA REFUZON KËRKESËN E PALËS MBROJTËSE, ALISPAHIQ: GJYKATA DO TË NDIHMOJË TË AKUZUARIN

 

Në  seancën gjyqësore për rastin “Almiri”, i cili aktualisht është në rigjykim, Gjykata Themelore e Kumanovës nuk pranoi kërkesën e palës mbrojtëse, që të mos merret si bazë ekspertiza neuropsikiatrike dhe ekspertiza teknike, e kryer nga neuropsikiatri Branisllav Stefanov, ndihmësja Zoja Babinoski dhe eksperti teknik Stoiki Zllatkovski. Ndonese edhe Gjykata e Apelit – Shkup, kishte propozuar ekspertizë e re, themelorja as atë nuk e mori parasysh.

Gjykatësja Maja Denkoska tha se ekspertet të cilët kane kryer ekspertizën janë ekspert pa varësisht se u ka skaduar afati i licencës dhe të njëjtit sipas saj, janë gjetur në regjistrin për ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë. Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq deklaroi se refuzimi i kërkesës së tyre është edhe një arsye për t’i mos i besuar kësaj gjykate. Pala mbrojtëse gjithashtu ka dërguar kërkese deri tek Gjykata e Apelit  Shkup që rigjykimi i rastit në fjale te transferohet në Gjykatën Themelore të Shkupit, por për të njëjtin ende nuk është marrë vendim.

“Këtu qartazi shihet se kemi një Prokurori publike të njëanshme dhe tani ajo vërehet edhe nga ana e Gjykatës Themelore Kumanovë, e cila vepron me një qëllim të vetëm, të i ndihmojë të akuzuarit Boban Iliq, për të cilin unë si avokat mbrojtës disa herë kam thënë që nuk duhet t’i jepet  vëmendje argumenteve të selektuara, të cilat po bëhen gati nga  ana e Prokurorisë dhe të cilat Gjykata po i pranon pa asnjë konfirmim të mbrojtjes”, deklaroi Asmir Alispahiq, avokat i familjes Aliu.

Edhe babai i Almirit, Sedat Aliu tha se aspak nuk ka besim në Gjykatën e Kumanovës.

“Si t’i besojmë kur tash u pa haptazi se në cilën anë është gjykata. Tani definitivisht nuk kemi asnjë lloj bese për shkak se gjykatat e Kumanovës nuk e pranojnë kërkesën e gjykatës së Shkupit dhe duan të gjykojnë si duan vetë, dhe si të kemi besim në të”, potencoi babai i Almir Aliut, Sedat Aliu.

Vrasja e vogëlushit Almir Aliu ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në qytetin e Kumanovës, kur katërvjeçari u shtyp për vdekje nga Boban Iliq. Seanca e radhës për rastin “Almiri” do të mbahet më 16 maj.

Përgatiti: Valmira Zendeli