Kandidatët e Aleancës për Shqiptarët sot vizituan tregun e Tetovës, për të cilin thonë se është në gjendje të mjerueshme dhe se tregtarët përballen me vështirës për shkak të mungesës së një hapësire adekuate.
“Sot vizituam tregtarët dhe qytetarët që frekuentojnë tregun e qytetit për t’i njoftuar ata me programin dhe vizionin e rinisë së Aleancës për Shqiptarët për Tetovën dhe tetovarët. Në këtë ditë tregu ishim dëshmitarë të vështirësive dhe kushteve të rënda me të cilat ballafaqohen tregtarët, por edhe qytetarët, për shkak të mungesës së një hapësire adekuate, infrastrukturës dhe kushteve që duhet t’i ketë një treg”, tha Blerian Imeri, kandidat për këshilltar.
Sipas kandidatit për këshilltar në Komunën e Tetovës, Blerian Imeri, shumë parti kanë premtuar kushte më të mira për tregun, por e kanë keqpërdorur besimin që u është dhënë. Andaj ASh kërkon mbështetje nga votuesit që ta rregullojnë këtë çështje.
“Për këtë temë kemi folur në shumë cikle zgjedhore, ndërsa janë zotuar edhe shumë parti që kanë marrë dhe kanë keqpërdorur pushtete lokale e qendrore. Por, ne sot dhe nga ky vend, duam t’u bëjmë një apel të rëndësishëm bashkëqytetarëve tanë. Për të zgjidhur këtë problem, por edhe shumë probleme të tjera me të cilat përballet qyteti ynë dhe tetovarët, në këtë ditë tregu u apelojmë që të mos lejojnë të bëhen pazarllëqe me fuqinë e tyre, të drejtën e votës dhe mos t’u japin mundësi atyre që bëjnë pazare me Tetovën dhe fatin e tetovarëve. Sot është dita dhe ky është vendi për tregti mallrash e produktesh, ndërsa 20 gushti është dita vendimtare kur tetovarët do të vendosin për të ardhmen e qytetit dhe për të ardhmen e brezave të rinj”, pohoi Blerian Imeri, kandidat për këshilltar.
Aleanca për Shqiptarët për zgjedhjet për Këshillin Komunal të Tetovës garon me sloganin “Jepi zë rinisë”, për të treguar se vetëm të rinjtë mund ta ndalojnë ikjen e bashkëmoshatarëve të tyre dhe krijimin e mundësive për jetë më të mirë në Tetovë.