A u përmbush premtimi i BDI-së për subvencionim të pagave për shqiptarët në sektorin privat? Përgjigjen nga Qeveria

TË FUNDIT

Miratimi i programit në seancën e Qeverisë, ku parashihet subvencionim i kompanive private për punëtorë mbi bazën e parimit të diversitetit, bëri që pyetja më e shpeshtë e gazetarëve ndaj zëdhënësve të Qeverisë të jetë ajo: Se a u përmbush premtimi parazgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim që të subvencionohen kompanitë private në rast se punësojnë shqiptarë?

Asnjë përgjjigje konkrete, ndërkaq zëdhënësi Dushko Arsovski disa herë dha përgjigjen e njëjtë.

“Subvencione dhe përkrahje do të marrin ato kompani të cilat do të punësojnë persona. Qëllimi i kësaj mase janë qytetarët që për një kohë të gjatë janë jashtë tregut të punës. Do të thotë të gjithë, pa dallim përkatësisë gjinore, religjioze, kombëtare”, tha Arsovski, transmeton TV21.

Shtoi se për këtë projekt janë ndarë 1 miliardë e 516 milionë denarë dhe me këtë masë përfshihen 10.279 persona.

Ndërkaq, dje për këtë masë njoftuan edhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Grubi foli për respektim të parimeve nga kompanitë private të cilat do të marrin subvencione, ndërkaq Osmani miratimin e këtij programi e paraqiti si përmbushje të premtimit parazgjedhor./TV21