Qyteti i Shkupit sot ka emëruar drejtorët e rinj në Ndërmarrjet Publike, përcjell TV21. Nga emrat e publikuar len të nënkuptohet se BDI tashmë “hyn” në Qytetin e Shkupit. Respektivisht nga publikimet e emrave dhe nga postimet e dy prej drejtorëve të emëruar shihet se ata i përkasin degës së BDI-së në Çair dhe Saraj, më konkretisht të ashtuquajturit “grupi i zjarrit” në BDI.
Në mesin e të emëruarve është Said Saidi, i cili është emëruar drejtor në N.P. “Rrugët dhe Rrugicat”.
Saidi në rrjete sociale ka të publikuar fotografi bashkë me aktivistë nga Shtabi Zgjedhor i BDI-së, K.V. “Teli” në Çair.
Ndërsa në N.P. “Parqe dhe Gjelbërime” është emëruar drejtor Zuhejr Rexhepi, i cili në rrjetet sociale ka të publikuar fotografi me kreun e komunës së Sarajit, Blerim Bexheti dhe me ish zv/kryeministrin nga radhët e BDI-së, Musa Xhaferi. Rexhepi gjithashtu është djali i ish kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Ende nuk ka informacione zyrtare nëse Bashkimi Demokratik për Integrim do të jetë pjesë e shumicës në Këshillin e Qytetit të Shkupit, pas përçarjeve mes VMRO-DPMNE-së dhe kryetares së Qytetit të Shkupit Danella Arsovska, por edhe pas ndërprerjes së bashkëpunimit të Arsovskës me Aleancën për Shqiptarët./tv21.tv