10 persona kanë keqpërdorur seksualisht 15-vjeçaren/ Qendra Sociale e Tetovës e ka marrë nën përkujdesje, të dyshuarit nën arrest

TË FUNDIT

15-vjeçarja që ishte viktimë e shfrytëzimit seksual, është marrë në mbrojtje të Qendrës sociale nga njësia rajonale në Tetovë. Ajo në vitin 2020/21 ishte keqpërdor nga  10 persona nga Tetova dhe Gostivari, të cilët tashmë janë të arrestuar. Shumica e tyre janë biznesmenë të njohur në rajon. Nga Qendra sociale njoftohet se ata tani po merren me kujdesin e vajzës dhe po punojnë për rizocializimin e saj.

“Qendra është thirrur në terren në lidhje me një çështje tjetër të rrezikut, pas çka zbulohen edhe ngjarjet që kishin ndodhur më parë. Në pajtim me interesin më të mirë për fëmijën, janë marrë të gjitha masat për përkujdesjen e saj dhe mbrojtjen e saj njëkohësisht, dhe është duke marrë shërbimet e duhura psiko-sociale dhe përkrahje, suksesshëm është duke u risocializuar, dhe është kyçur në procesin e rregullt edukativo arsimor.”- thanë nga Qendra e Punës Sociale – Njësia Tetovë.

 

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka hedhur poshtë pohimet se vajza e tregtuar ka qenë nën përkujdesje sociale, apo e dhënë te ndonjë familje për përkujdesje.

 

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ju informon se fëmija në fjalë, asnjëherë nuk ka qenë i vendosur në familje përkujdesëse, dhe nga kjo del se lajmi që fëmija ka qenë i vendosur në familje kujdestare është krejtësisht jo i vërtetë.”- deklaroi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

 

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme në periudhën kohore nga viti 2020 deri në shtator të vitit 2021, personi G.Sh, duke përfituar nga gjendja e pafuqisë dhe vulnerabilitetit të fëmijës, në një marrëveshje të mëparshme me S.S., A.P. dhe K.H., e kanë kryer krimin duke detyruar fëmijën për të kryer akte seksuale nëpërmjet shfrytëzimit seksual dhe duke e përdorur atë në aktivitete seksuale ose, forma të tjera të shfrytëzimit seksual me 5 persona (R.A., I.Z., I. E., A.M., Q.Q., F.A. dhe A.Sh), në këmbim monetar nga 50 deri në 200 euro.

Ndërkohë nga Prokuroria për krim të organizuar thonë se Qendra për punë sociale është përfshirë në mënyrë aktive në këtë rast që në njohjen fillestare të rastit. Në bashkëpunimin e deritanishëm, QPS ka siguruar dhe dorëzuar të gjithë dokumentacionin që ka kërkuar prokurori publik për ndriçimin e rastit, si dhe ka vepruar sipas të gjitha udhëzimeve dhe kërkesave të dërguara nga prokurori publik.