ZAEV KUNDËR JANEZ KOPAÇIT, RRYMË E LIRË DERI NË ANËTARËSIMIN E MAQEDONISË NË BE

845
0
SHPËRNDAJE

Rryma e lirë do të kthehet për disa orë gjatë ditës dhe me këtë do të realizohet premtimi zgjedhor deklaroi sot kryeministri Zoran Zaev. Edhe pse kjo masë nuk është në përputhje me rregullat evropiane nga fusha e energjetikës, Zaev thotë se përderisa nuk jemi pjesë e familjes evropiane, kjo masë sociale mund të realizohet.

“Rregullat evropiane lënë hapësirë që deri në anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, vendi të ketë qasje më të sigurt deri te qytetarët. Për ne ka rëndësi aspekti social. Duke mos qenë ende anëtare të Bashkimit Evropian, ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që i kemi në dispozicion”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër i RM.

Kjo deklaratë e kryeministrit Zaev vjen vetëm dy ditë pasi drejtori i bashkësisë evropiane energjetike Janez Kopaç paralajmëroi se tarifën e lirë e rrymës mund ta shfrytëzojnë vetëm familjet e varfra, edhe atë për periudhë të caktuar kohore.

“Nëse realizohet një masë e tillë për konsumatorët, atëherë kjo duhet të vlejë vetëm për kategoritë e rrezikuara sociale. Për këtë do të nevojitet definicion i caktuar. Një definicion i atillë nuk ekziston në nivel evropian andaj do të duhet të bëhet në nivel shtetëror, por gjithsesi se duhet të ekzistojë. Pra, kjo masë nuk do të vlente për të gjithë, por vetëm për konsumatorë të caktuar”, tha Janez Kopaç, Drejtori i Sekretariatit të BE.

Sipas paralajmërimeve, qeveria planifikon të mundësojë tarifë të lirë të rrymës prej orës 13 deri në orën 16, mundësi kjo që u hoq në vitin 2012. Në takimin e sotëm me biznesmenët e vendit, Zaev u pyet se a do të jetë drejtori i ri i Elektranave të Maqedonisë ish drejtori i Hidroelektranës së Serbisë Aleksandar Obradoviq siç u përfol një kohë të gjatë. Ai u përgjigj se ende nuk është sjellë një vendim përfundimtar për këtë çështje. Përndryshe, Obradoviq, në mediat serbe dhe në ato maqedonase përshkruhet si një figurë kontraverse, i përmendur në numër të madh aferash dhe skandalesh me para shtetërore në periudhën kur në Serbi, në fuqi ishin masat e kursimit.

Përgatiti: Ile Petrevski

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU